Të paktën 19 persona janë konfirmuar të vdekur pasi një avion pasagjerësh me 64 persona u përplas me një helikopter ushtarak Black Hawk që transportonte tre ushtarë mbrëmjen e së mërkurës. Avioni më pas u rrëzua në lumin Potomac ndërsa po përpiqej të ulej në Aeroportin Kombëtar Ronald Reagan pranë Washingtonit.
Siç raporton BBC, deri më tani janë gjetur 19 trupa të pajetë.
Dhjetëra oficerë policie, ambulanca dhe ekipe shpëtimi ndodhen në lumë.
John Donnelly, shefi i departamentit të zjarrfikësve dhe shërbimeve të urgjencës në Uashington DC, thotë se ky është një operacion shumë kompleks dhe “kushtet atje janë jashtëzakonisht të vështira”.
Në rrjete sociale është shfaqur një video e përplasjes, ndërsa video është transmetuar edhe nga disa media ndërkombëtare.
Aeroplani u shpërtheu në copa të shumta dhe tani është thellë në ujë, sipas autoriteteve.
Ekipi i zhytjes tani ka gjetur gjithashtu atë që duket të jetë një nga dy kutitë e zeza.
Pak çaste para rrëzimit, një kontrollor i trafikut ajror mund të dëgjohet duke pyetur helikopterin nëse e ka “në pamje” avionin e pasagjerëve të American Airlines, sipas CNN.
Një tjetër paralajmërim jepet nga kontrolli i trafikut ajror dhe disa sekonda më vonë ndodh përplasja.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se përplasja në ajër midis një helikopteri të ushtrisë amerikane dhe aeroplanit të pasagjerëve të American Airlines është një “situatë e keqe që duket se duhej të ishte parandaluar”.
Ai tha se aeroplani i pasagjerëve po fluturonte normalisht ndërsa po i afrohej aeroportit “Ronald Regan” në Washinton.“Helikopteri po shkonte drejt në aeroplan për një periudhë të gjatë kohore. Është natë e kthjellët, dritat në aeroplan po flakëronin, pse helikopteri nuk u ngjit, as u ul, as u kthye. Pse kulla e kontrollit nuk i tha helikopterit se çfarë të bënte në vend që të pyeste nëse e panë aeroplanin”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
“Kjo është një situatë e keqe që duket se është dashur të parandalohet. JO MIRË!!!”, shtoi presidenti.