I dërguari i Shteteve të Bashkuara për luftën në Ukrainë Keith Kellogg tha të premten se kishte zhvilluar diskutime “të gjera dhe pozitive” me Presidentin Volodymyr Zelenskiy.
Në rrjetin social X Kellogg shkruante se gjatë vizitës së tij të enjten në Kiev, kishte biseduar edhe me “ekipin e talentuar të sigurisë kombëtare” të Zelenskiy, siç e quajti ai.
Nga ana e tij Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të enjten se bisedimet e tij me të dërguarin amerikan Keith Kellogg “rikthyen shpresën” në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje me Uashingtonin.
“Ne kemi nevojë për marrëveshje të fortë me Amerikën, marrëveshje që do të funksionojë vërtet. Interesat ekonomike dhe interesat e sigurisë duhet ecin paralel me njëra-tjetrën. Detajet e marrëveshjes janë të rëndësishme. Sa më mirë të hartohen ato, aq më i mirë është rezultati”, tha Zelenskiy, në fjalimin e mbrëmjes drejtuar kombit.
Ai shtoi se me gjeneralin Kellog kishte biseduar mbi çështje që lidhen me vijën e frontit, nevojën për të liruar të gjithë robërit ukrainas të luftës që mbahen në Rusi, si dhe gjithashtu mbi domosdoshmërinë e një sistemi të besueshëm dhe të përcaktuar mirë për garanci sigurie, “në mënyrë që lufta të mos rikthehet e që rusët të mos jenë më në gjendje të gjymtojnë jetë njerëzish”, siç tha ai.
“Ne të gjithë kemi nevojë për paqe – Ukraina, Evropa, Amerika – e gjithë bota”, tha Zelenskiy.
Presidenti ukrainas tha po ashtu se kishte biseduar edhe me Presidentin e Francës Emmanuel Macron dhe se kishte ndarë me të “pikëpamjet mbi garancitë e sigurisë” për Ukrainën dhe hapat e ardhshëm në përpjekjet e fundit diplomatike për përfundimin e luftës me Rusinë.
Macron pritet të takohet të hënën në Uashington me Presidentin Donald Trump.
Takimi në Kiev mes të dërguarit të Presidentit amerikan Donald Trump për konfliktin në Ukrainë me Presidentin Volodymyr Zelenskiy u zhvillua ndërsa mes Uashingtonit dhe Kievit tensionet ishin të rritura për shkak të akuzave të ndërsjella mes Presidentit Trump dhe Presidentit Zelenskiy.
Pasi e akuzoi Trump se po jetonte në hapësirën e dezinformatave ruse, si përgjigje ndaj komenteve të udhëheqësit amerikan se ishte Ukraina ajo që e nisi luftën 3 vite më parë, Zelenskiy ofroi më pas një ton më pajtues.
Presidenti Trump megjithatë vazhdoi t’i referohej Zelenskiy si një “diktator që nuk ishte zgjedhur” duke theksuar se nëse nuk vepronte me shpejti rrezikonte të humbiste vendin.
Presidenti Trump po nxit arritjen e një marrëveshje të shpejtë për t’i dhënë fund luftës gjë që ka alarmuar aleatët evropianë të Uashingtonit, të shqetësuar se u lanë jashtë, bashkë me Ukrainën, në bisedimet fillestare me Rusinë dhe se marrëveshja mund të jetë më e favorshme për Moskën sesa Kievin.