Shtatë pasagjerë “të vonuar” u zbuluan nga policia në Aeroportin e Memmingenit të dielën (22.6.2025). që të gjithë ishin nga Kosova të cilëve u kishte kaluar koha e qëndrimit në Gjermani.
Sipas Policisë, të parët në listë ishin një çift të cilëve qëndrimi i lejuar prej 90 ditësh u kishte kaluar për më shumë se dy javë. Dyshja ka qëndruar në zonën Schengen për 15 ditë më shumë, thanë zyrtarët, raporton “Allgaeuer Zeitung”, transmeton Klankosova.tv.
Një burrë tjetër nga Kosova (30-vjeç) e kaloi qëndrimin për dy ditë, e një 50-vjeçare për një ditë.
Veç tyre, një grua 24-vjeçe u paraqit në kontrollin në dalje gjatë një fluturimi për në Prishtinë me Wizzair, e cila, bashkë me dy fëmijët e saj e kishte kaluar kohën e qëndrimit për një ditë.
Policia kufitare ka nisur hetime penale kundër personave sipas Aktit të Rezidencës, thanë zyrtarët. Pas kësaj, të gjithë ata u lejuan të hipin në aeroplan, theksoi policia.
Policia e Memmingenit bëri me dije se çdo ditë kapin persona që e tejkalojnë kohën e qëndrimit. Marsin e kaluar, zyrtarët thanë se kapën tre pasagjerë ajrorë në një ditë që e kishin tejkaluar bashkë kohën e qëndrimit për gati 800 ditë. Ndërsa listës i prin një grua nga Gjeorgjia e cila qëndroi në Gjermani 384 ditë më shumë se koha e lejuar.