Live

Gjilan: Tejkaloi rrezikshëm përmes trotuarit, shoferi ha gjobë dhe njoftohen autoritetet zvicerane

11:06 / 25 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Policia e Kosovës e ka gjobitur një shoferi i cili me datë 24.07.2025, me automjetin Audi S6 me targa të Zvicrës (TG), në kundërshtim me Ligjin mbi rregullat e trafikut rrugor, ka kryer një tejkalim të parregullt përmes trotuarit në anën e djathtë, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik, veçanërisht në zonën e udhëkryqit.

Sipas policisë, ky veprim është dokumentuar edhe përmes pamjeve (videos) të publikuara nga qytetarët dhe mediat në rrjetet sociale, të cilët kanë xhiruar momentin e tejkalimit.

“Njësiti rajonal i komunikacionit rrugor në Gjilan ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme duke identifikuar vozitësin ndaj të cilit ka shqiptuar gjobë, sipas legjislacionit në fuqi. Duke u bazuar në marrëveshjen ndërmjet Shtetit të Kosovës dhe Shtetit Zviceran, lidhur me bashkëpunimin për trajtimin e kundërvajtjeve të kryera nga shtetasit e secilit shtet në territorin e tjetrit, gjoba e shqiptuar do t’i përcillet autoriteteve përkatëse zvicerane për trajtim të mëtejmë sipas marrëveshjes”, ka thënë Policia.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan thotë se mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë rrugore, teksa fton qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe inkurajon raportimin e sjelljeve të rrezikshme në rrugë në stacionin më të afërm të Policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: [email protected] dhe numrat kundestarë:192; 03850807001.

Shpërndaje në

U Kopjua