Një rast i dhunës në familje është raportuar gjatë ditës së djeshme në fshatin Astrazup të Malishevës, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke deklaruar se është duke përjetuar dhunë të vazhdueshme psikike nga bashkëshorti i saj.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 5 qershor 2025, rreth orës 13:00, në Stacionin Policor në Malishevë është raportuar një incident familjar, ku viktima Sh.M., 34-vjeçare ka kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve për shkak të gjendjes emocionale që po e përjetonte nga sjellja e bashkëshortit të saj, B.M. 38-vjeçar.
Viktima është dërguar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë për kontroll mjekësor, e më pas është shoqëruar në stacion për intervistim.
E njëjta ka deklaruar para policisë se dhuna psikike është e vazhdueshme dhe se ndjehet e pasigurt në raportin bashkëshortor.
Në bazë të procedurës, është ftuar edhe i dyshuari B.M., i cili gjatë deklarimit ka pranuar se ka pasur mosmarrëveshje, por ka mohuar që ndonjëherë ta ketë dhunuar fizikisht bashkëshorten. Ai ka deklaruar se ka qenë i nervozuar dhe e ka qortuar atë, por pa tejkaluar kufijtë e dhunës fizike.
Pas intervistimit, të dy bashkëshortët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar bashkëjetesën, dhe Sh.M. është kthyer me dëshirën e saj në shtëpinë familjare.
Prokurori Kujdestar ka urdhëruar që të iniciohet procedurë penale për veprën “Dhunë në familje”, ndërkohë që i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.