Tri pengje që po mbaheshin nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë liruar dhe kanë arritur në Izrael njoftuan autoritetet.
Më vonë gjatë 19 janarit, Izraeli pritet të lirojë afër 90 të burgosur palestinezë.
Ky është hapi i parë i marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit që hyri të dielën në fuqi.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se “armët në Gazë kanë pushuar” në bazë të marrëveshjes që ai ideoi në majin e vitit të kaluar.
Presidenti në largim, teksa mori pjesë në një ngjarje në Karolinën e Jugut, tha se ndihmat humanitare veçse kanë nisur të shkojnë në Gazë.
Sipas tij, armëpushimi në Gazë ka “transformuar në mënyrë fundamentale” rajonin e Lindjes së Mesme.
I pyetur nga gazetarët nëse është i shqetësuar për rigrupimin e Hamasit, udhëheqësi amerikan tha se nuk është i shqetësuar.
Nisja e armëpushimit erdhi pasi Hamasi publikoi emrat e tri pengjeve gra – sipas marrëveshjes së armëpushimit – që u liruan më 19 janar.
Një zyrtar izraelit konfirmoi se Romi Gonen, 24-vjeçare, Emily Damari, 28 vjeçe dhe Doron Steinbrecher, 31-vjeçare janë personat e parë që lirohen përmes marrëveshjes së armëpushimit. Gonen ishte rrëmbyer nga festivali i muzikës, Nova, ndërkaq dy gratë e tjera ishin rrëmbyer nga vendbanimi Kfar Aza. Damari është shtetase izraelite dhe britanike.
Mosdërgimi i emrave të pengjeve bëri që hyrja në fuqi e armëpushimit të vonohen për më shumë se dy orë, teksa Izraeli tha më herët se do të vazhdojë luftimet derisa emrat të dorëzoheshin, ashtu siç ishte paraparë në marrëveshjen e arritur më herët gjatë javës. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se si pasojë e sulmeve izraelite, të paktën tetë persona u vranë mëngjesin e 19 janarit.
Hamasi tha më herët gjatë së dielës se për “arsye teknike në terren” nuk arriti që me kohë të dorëzojë emrat. Përmes një deklarate, grupi radikal palestinez tha se është i përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit.
Në mbarë enklavën palestineze pati festime të dielën dhe disa palestinezë nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre edhe pse vonesat në hyrjen në fuqi të armëpushimit vunë në pah brishtësinë e marrëveshjes.
Kombet e Bashkuara njoftuan se kamionë me ndihmë humanitare kanë nisur të hyjnë në Gazë, pas nisjes së armëpushimit.
“Kamionët e parë me ndihma kanë nisur të hyjnë” në Gazë pak minuta pasi hyri në fuqi marrëveshja, tha zyrtari për ndihmë i OKB-së, Jonathan Whittall, njëkohësisht ushtrues i detyrës të agjencisë për ndihmë në territoret palestineze, OCHA.
Marrëveshja e armëpushimit parasheh dhënien fund të luftës 15-mujore dhe lirimin e pothuajse 100 pengjeve, që u morën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.
Ndërkaq, Izraeli njoftoi se ka arritur të tërheqë trupin e Oron Shaul, një ushtar që ishte vrarë në luftën Izrael-Hamas më 2014. Trupat e Shaulit dhe ushtarit tjetër, Hadar Goldin, kishin qenë në Gazë edhe pas përfundimit të luftës më 2014.
Armëpushimi, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është hapi i parë në një proces të gjatë e të brishtë që synon t’i japë fund luftës 15-mujore.
Në fazën e parë 42-ditore të armëpushimit është paraparë të lirohen 33 pengje që mbahen në Gazë dhe qindra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael. Pakti parasheh që Izraeli të tërhiqet në një zonë brenda Gazës dhe shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, parashihet rritje e ndihmave humanitare për Gazën.
Ky është armëpushimi i dytë që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin pauzuar luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje.
Negociatat për fazën e dytë, që konsiderohet më e vështirë, është paraparë të nisin dy javë më vonë. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje për këtë çështje, përfshirë edhe atë nëse lufta do të rinisë pas fazës së parë gjashtëjavore dhe si do të lirohen pjesa tjetër e pengjeve.
Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë.
Mbi 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur. Kombet e Bashkuara kanë thënë se sistemi i shëndetësisë, rrjeti rrugor dhe infrastruktura vitale janë dëmtuar rëndë. Rindërtimi – nëse armëpushimi arrin në fazën e tij finale – do të merrte kohë disa vite. Po ashtu, çështje e pazgjidhur mbetet edhe se si do të udhëhiqet Gaza pas konfliktit.