Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka shprehur shqetësimet e tij në lidhjen rendimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ai ka bërë me dije se gjatë Qeverisë Kurti pozita e Kosovës është përkeqësuar shumë
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka treguar disa arsyeje që kanë ndikuar në këtë aspekt.
“Pozita ndërkombëtare e Republikës së Kosovës është përkeqësuar fort së voni, sidomos në dy vitet e fundit. Imazhi i vendit tonë është dëmtuar. Pse? Së pari, Qeveria e Albin Kurtit e ka pranuar Marrvëveshjen e Brukselit/Ohrit në shkurt dhe në mars të vitit 2023. Kjo është marrëveshja më e keqe e Kosovës në dialogun e stërzgjatur me Serbinë. Parasheh „vetëmenaxhim të serbëve“, domethanë autonomi politike-territoriale të serbëve në Kosovë, në kundërshtim me rendin kushtetues unitar të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai, duke përmendur argumente tjera.
Së dyti, Kosova është nën sanksione të BE-së prej qershorit të vitit 2023. Qindra milionë euro i ka humbur Kosova për projekte të BE-së që do ta përmirësonin jetën e qytetarëve të Kosovës. Së treti, Kosova mbeti jashtë Këshillit të Evropës vitin e kaluar. Sivjet nuk ka hyrë as në rendin e ditës për anëtarësim. Kosovës po i kërkohet t’i zbatojë marrëveshjet e Brukselit/Ohrit, që i ka pranuar Qeveria Kurti. Së katërti, drejtuesit e politikës së jashtme të vendit, udhëheqësit e Kosovës, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, nuk po ia dalin ta çojnë Kosovën përpara në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Madje as t’i bindin vendet kryesore evropiane se Kosovës duhet t’i hiqen sanksionet e BE-së pas dy vitesh. Thirrje për heqjen e tyre po bëjnë, por pa rezultat”, ka shkruar Hamiti.