Live

Hapet konsullata e Shqipërisë në Strugë

14:32 / 08 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Shqipëria hapi konsullatën e përgjithshme në Strugë të Maqedonisë së Veriut. Dy ministrat e Jashtëm, Timço Mucunski dhe Igli Hasani e konsideruan atë një urë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Në një kohë kur lëvizshmëria e qytetarëve tanë është rritur ndjeshëm si për arsye turizmi, edhe për angazhime sezonale e ekonomike, nevojat për shërbime konsullore janë bërë më urgjente. Por kjo konsullatë nuk do të jetë thjeshtë një zyrë dokumentesh por një urë funksionale mes shtetit shqiptar dhe qytetarëve të vet, një hapësirë që ofron shërbime dhe afirmon kujdesin insititucional”, deklaroi Igli Hasani, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Hasani tha se Shqipëria po dëshmon qasje aktive për integrim rajonal dhe zhvillim të përbashkët kurse theksoi edhe rolin e rëndësishëm të faktorit politik shqiptar në procesin eurointegrues të Maqedonisë.

“Faktori politik shqiptar ka luajtur dhe vazhdon të luaj një rol të pazëvendësueshëm, nga proceset e rëndësishme të shtetformimit dhe demokratizimit deri te mbështetja pa ekuivok për integrimin dhe rrugëtimin e përbashkët euroatlantik, kontributi i të cilit është themelor. E përshendes veçanërisht maturinë dhe bashkëpunimin që forcat politike shqiptare kanë treguar në mbështetje të kësaj rruge duke vënë interesin e përbashkët mbi interesat partiake”, tha Igli Hasani, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Ministri i Jashtëm Timço Mucunski tha konsullata do të jetë një lidhje më e afërt e qytetarëve me institucionet reciproke, shkruan Alsat.mk.

“Konsullata e Përgjithshme do t’u mundësojë qytetarëve qasje më të lehtë te shërbimet konsullore dhe lidhje më të afërt të insiticioneve të të dy vendeve gjë që ka rëndësi të posaçme për njerëzit që çdo ditë lëvizin përtej kufirit për shkak te lidhjeve familjare, bizneseve, tranzitimit ose turizmit. Kjo do të përforcojë zhvillimin ekonomik si dhe shkëmbim më të lartë kulturor. Hapja e kësaj kosullate është edhe një hallkë me vlerë në mozaikun e pasur të marrëdhënieve të shkëlqyera që i kurojmë tashmë një kohë të gjatë”, theksoi Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm.

Konsull i përgjithshëm në Strugë është Petrit Musai.

Shpërndaje në

U Kopjua