Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i habitur me mënyrën se si po e menaxhon seancën kryesuesi Avni Dehari.
Teksa po hynte në Kuvend për të marrë pjesë në tentimin e 52-të për konstituim, Haradinaj tha se nuk e di se nga po i buron ajo nervozë, Deharit.
“Ne kemi ardhur gjithmonë me shpresë se do të kemi një lëvizje nga ata që po e mbajnë peng sigutatën, nga zoti Kurti. I kemi ofruar edhe ndihmë për votat tona, pa asnjë kalkulim politik, për një kandidat përbashkues. E shihni se është një situatë shumë e rëndë me zotin Dehari, po e menaxhon shumë keq seancën. Është një lloj nervoze. Nuk e di se nga i buron ajo nervozë, ajo frikë se po ndodh ndonjë tragjedi nëse dikush e thotë ndonjë fjalë. Është një sjellje e habitshme, një panik i tillë, nuk e kuptoj pse”, tha Haradinaj, teksa shtoi se “jemi të shqetësuar me këtë gjendje”.
Më tutje, ai tha se koha që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve, deri më 8 gusht, është e mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje.
“Është me rëndësi që koha është e shkurtë, pra masa e përkohshme është për dy javë. Na jep shpresë se pas dy jave do të ketë zhvillime të reja, ose vendim të ri të gjykatës, për një masë finale. Kjo ndoshta është e mira e kësaj. Siç duhet, kemi afat edhe nesër, andaj mendoj se ky dyjavëshi nuk është i keq”.
“Është e mundshme se gjykata e ka paraparë se kaq kohë nevojitet për një zhvillim të ri, që nuk do të ishte pak dy javë”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së tha se nuk duhet të favorizohen zgjedhjet e reja, por tha se megjithatë, partia e tij është e gatshme.
“Ne nuk mendojmë se duhet të favorizohen zgjedhjet pa i shteruar mundësitë për të krijuar institucione”, deklaroi kreu i AAK-së. “Zgjedhjet mund të sjellin një rezultat, por mund të na sjellin një situatë të ngjashme. Kuptohet se jemi të gatshëm, por nuk i kërkojmë zgjedhjet”.
Haradinaj tha se Kuvendi dhe e tërë Kosova janë peng të kreut të LVV-së, Albin Kurtit.
“Ne jemi peng të Kurtit, një Kosovë, një parlament… Nëse ai e ka ndarë mendjen ta bëjë keq e më keq, dhe unë po besoj se e ka ndarë mendjen, ai do të vazhdojë ta degradojë vendin”, u shpreh deputeti Haradinaj.