Live

Haradinaj kritikon OVL-UÇK-në për protestën kundër Trendafilovës

18:43 / 27 Maj 2025

Nga Kosova Live

Nasim Haradinaj, ish-nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si u organizua protesta para dy javësh në Prishtinë, e cila ishte drejtuar kundër Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

Në një deklaratë publike, Haradinaj e cilësoi protestën si “për marre dhe qyqarllëk”, duke kritikuar faktin që OVL-UÇK, sipas tij, nuk pati guximin ta merrte zyrtarisht përgjegjësinë për organizimin e saj.

“OVL ka nevojë të bëjë thirrje e jo të punojë në ilegalitet. Pozitive aty është që efekti u arrit dhe Trendafilova nuk mbajti konferencë”, tha Haradinaj, duke iu referuar faktit që protesta rezultoi në anulimin e një paraqitjeje publike të Kryetares së Dhomave të Specializuara.

Haradinaj theksoi se ndonëse ishte i kënaqur me rezultatin e protestës, mbeti i zhgënjyer nga mungesa e guximit për ta pranuar publikisht thirrjen për protestë.

“Isha i kënaqur me efektin, por i pakënaqur për mosguximin e pranimit të thirrjes, qoftë edhe simbolike të asaj proteste”, theksoi për Klan Kosova.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur raportet ndërmjet institucioneve vendore dhe Dhomave të Specializuara mbeten të tensionuara, sidomos pas aktakuzave të ngritura ndaj disa ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Shpërndaje në

U Kopjua