Live

Haxhiu dënon dhunën ndaj 3-vjeçarit në çerdhe: Organet e drejtësisë po e trajtojnë rastin, fëmijës dhe familjes do t’i ofrohet ndihma e nevojshme

11:17 / 19 Shtator 2023

Nga Kosova Live

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar për rastin e 3-vjeçarit në Fushë Kosovë ndaj të cilit po dyshohet se edukatoret ushtruan dhunë, shkruan Reporteri.net.

Haxhiu ka thënë se rasti i tillë është i dënueshëm dhe nuk do të tolerohet, dhe ka kërkuar nga Qendra për Punë Sociale e Komunës së Fushë Kosovës të ofrojnë shërbim për 3-vjeçarin dhe familjen e tij.

“Dhuna psiqike dhe fizike ndaj fëmijës 3 vjeçar në njërin nga kopshtet publike të Komunës së Fushë Kosovës, është e dënueshme dhe nuk do të tolerohet. Përderisa tashmë organet e drejtësisë janë duke trajtuar rastin, Komuna e Fushë Kosovës përmes Qendrës për Punë Sociale, duhet të ofrojë çdo shërbim të saj në ndihmë të fëmijës dhe familjes”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Tutje Ministrja ka thënë se Komunat duhet të vetëdijësohen për rëndësinë që kanë shërbimet në përgjithësi e sidomos ato sociale, derissa ka theksuar se Ministria që ajo drejton do të ofrojë ndihmën e nevojshme për fëmijën dhe familjen.

“Që rastet e tilla të mos përsëriten, komunat duhet të vetëdijesohen për rëndësinë që kanë shërbimet në përgjithësi, dhe shërbimet sociale në veçanti, gjegjësisht qendrat për punë sociale.
QPS-të bashkë me shkollat dhe kopshtet, dhe jo vetëm, janë institucionet të cilat mund të parandalojnë rastet e tilla. Ministria e Drejtësisë, në përputhje me kompetencat – përmes Departamentit të Politikave të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, do të ofrojë mbështetjen e nevojshme, për interesin më të mirë të fëmijës dhe familjes”, ka shkruar Haxhiu.

Për rastin ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila ka thënë se pamjet që janë publikuar janë thellësisht shqetësuese teksa tha se e dënon dhunën e ushtruar ndaj të miturit në këtë institucion parashkollor.

Ajo bëri të ditur se Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojnë raportin, do të ndërmerren masat e menjëhershme.

Sot, Policia e Kosovës dhe inspektorët e MASHT-it zbarkuan në çerdhen shtetërore “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, pas raportimeve për rastin e fëmijës 3-vjeçar ndaj të cilit dyshohet se është ushtrua dhunë.

Aty ka qenë dhe nëna e fëmijës e cila ka dhënë detaje tjera rreth rastit, derisa tha se fillimisht e kanë thirrur edukatoret për të treguar për problemet që i ka bërë djali i saj.

“Mësuesja Fitore më tha hajde këtu se djali yt e ka ba namin. Më erdhi shumë keq sepse mendova që e ka rrëzu dikon ose ka thy ndonjë gjë. I thashë ju kërkojë falje, por tha jo ka dal e ka shkarravitë. Unë i thash kena me ja ble mësues një çokollatë edhe me i thënë më fal nesër jam lazdru dhe i thashë duhet me i përmbushë dënimet nëse t’i ka dhënë mësuesja por ky kishte marrë dënime brutale”, tha ajo.

Shpërndaje në

U Kopjua