Qeveria e Kosovës ia ka hequr presidentes Vjosa Osmani kompetencat nga Plani i Reagimit Kombëtar, për t’ia kaluar vetes. E, në krye të këtij plani ka qenë zyrtari i kësaj partie, Blerim Gashani – kështu raportuan sot mediat në vend.
Në lidhje me këtë, ka folur për Periskopin, Burim Ramadani, ish-kryeinspektor i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
Ramadani e quan si veprim “dëmtues dhe qëllimkeq” për presidenten Osmani.
”Cenimi i autoritetit Kushtetues të Presidentit-es, është edhe dëmtues, edhe qëllimkeq. Mospërfshirja e rolit të Presidentit-es në Planin e Reagimit Kombëtar, njëjtë sikurse me tendencën për ta bërë të njëjtën në ligjin që u pat miratuar për Këshillin e Sigurisë, është qajse joprofesionale dhe kundër-Kushtetuese”, ka thënë Ramadani për Periskopin.
”Pavarësisht disponimeve politike të momenteve, roli i secilit institucion është i përcaktuar me Kushtetutë.
Roli i Presidentit-es në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është rol aktiv Kushtetues. Në Kosovë, çështjet kushtetuese të sigurisë janë të precizuara qartë dhe në shumicën prej autorizimeve, Presidenti dhe Kryeministri ndajnë të njëjtën përgjegjësi.
Kjo ka shërbyer si balancim midis institucioneve të ndryshme, në këtë rast të udhëheqjes kryesore të shtetit, dhe si e tillë është një siguresë për funksionim demokratik të sektorit të sigurisë.
Prandaj, zbehja e rolit aktiv të Presidentit është edhe jodemokratike, edhe jokushtetuese, edhe joprofesionale”, u shpreh Ramadani.