Katër persona janë prangosur sot gjatë një aksioni të hetuesve të krimeve ekonomike të zhvilluar në Gjakovë.
Zyrtarët komunalë, u arrestuan nën dyshimin për vepren penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha, tha për Klankosova.tv se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Policia e Kosovës, konkretisht hetues kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Shtetit kanë ndërmarrë veprime hetimore në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga zyrtarë komunalë në Gjakovë. Katër persona të dyshuar janë intervistuar dhe ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit. Hetimet po vazhdojnë në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, tha Hoxha për Klankosova.tv.
“Pas një mori veprimesh hetimore, të kryera në koordinim me prokurorin e shtetit, janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se katër të dyshuar (dy meshkuj dhe dy femra) nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Gjakovës, dyshohet se me veprimet e tyre në vitet 2018 dhe 2019, kanë lëshuar kundërligjshëm pëlqimet dhe vendimet për parcelizimin dhe bartjen e pronave tek personat e tretë, pa dijeninë dhe autorizimin e pronarëve legjitimë”.