Live

Hoti: 12 qershori i ‘99-ës shënoi fundin e një epoke shtypjeje dhe fillimin e një periudhe të re lirie

11:37 / 12 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Deputeti i betuar i LDK-së, Avdullah Hoti ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se 12 qershori i vitit 1999 shënoi fundin e një epoke shtypjeje dhe fillimin e një periudhe të re lirie dhe shprese për Kosovën.

“Dita e Çlirimit të Kosovës, më 12 qershor 1999, shënon fundin e një epoke shtypjeje dhe fillimin e një periudhe të re lirie dhe shprese. Ky çlirim ishte rezultat i dy shtyllave të forta të rezistencës së popullit: lëvizjes paqësore dhe vizionare të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova dhe luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Presidenti Rugova për vite me radhë drejtoi rezistencën paqësore, duke ndërtuar institucionet e shtetit të Kosovës dhe duke e përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare me mençuri dhe maturi. Ai formësoi identitetin shtetëror të Kosovës në rrethana shumë të vështira”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndër të tjera, Hoti tha se çlirimi i Kosovës ishte rezultat i sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe mbështetjes vendimtare të NATO-s.

“Në të njëjtën kohë, UÇK-ja u bë simboli i qëndresës duke luftuar me guxim për lirinë e popullit. Sakrifica e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare dhe të rënëve për liri është shkruar përjetësisht në historinë e popullit tonë. Çlirimi i Kosovës ishte rezultat i bashkimit të këtyre përpjekjeve dhe i mbështetjes vendimtare të NATO-s”, shkroi tutje ish-kryeministri i Kosovës.

“12 qershori mbetet një ditë krenarie dhe kujtese për të gjithë ata që kontribuuan në rrugën drejt lirisë”.

Shpërndaje në

U Kopjua