Live

Hoti: Nëse nuk formohen institucionet, vendi duhet të shkojë në zgjedhje

14:28 / 05 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se krizat politike në një demokraci mund të ndodhin, por është papërgjegjësi e forcave politike nëse ato thellohen dhe zgjasin, duke krijuar kosto për çdo qytetar dhe biznes.

Në një postim në Facebook, ai ka pohuar se pas 27 dështimeve për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, është e qartë se partia e parë ka dështuar të formojë shumicën parlamentare.

“Rrjedhimisht, ajo duhet ta pranojë këtë dhe të kërkojë konsultime me partitë e tjera për modalitetet kushtetuese të daljes nga kriza politike”, ka thënë Hoti.

I njëjti ka deklaruar se për propozimin e LDK-së për Qeverinë gjithëpërfshirëse duhet të ketë konsensus nga të gjitha partitë politike.

“LDK-ja, në mungesë të krijimit të një shumice parlamentare dhe duke e bërë të qartë se, për shkak të rezultatit zgjedhor, do të qëndrojë në opozitë pa u bërë pjesë e asnjë lloj shumice parlamentare, ka propozuar një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe kohë të kufizuar. Ky propozim kërkon konsensus nga të gjitha forcat politike, konsensus i cili duket qartë se nuk ekziston”.

“Rrjedhimisht, është detyrim i forcave politike që të ulen sa më parë dhe të bien dakord për një datë të re zgjedhjesh. Vendi nuk mund të lihet pa institucione. Nëse forcat politike nuk arrijnë të merren vesh për të formuar shumicën parlamentare, atëherë fjalën duhet ta ketë sërish sovrani”, u shpreh Hoti.

Shpërndaje në

U Kopjua