Zëdhënësi i Houthive jemenas, Yahya Saree, foli për hyrjen e mundshme të ushtrisë amerikane në konfliktin me Iranin dhe tha se Jemeni dhe Houthit nuk do të qëndrojnë pa kundërpërgjigje.
Në një fjalim, Houthit njoftuan gatishmërinë e tyre të plotë për të synuar anijet luftarake amerikane në Detin e Kuq nëse SHBA vendos të sulmojë Iranin, përcjell Telegrafi.
“Çdo sulm i përbashkët SHBA-Izrael ndaj Iranit përfaqëson një agresion të drejtpërdrejtë kundër kombit, me qëllim imponimin e hegjemonisë sioniste mbi rajonin dhe heqjen e lirisë dhe pavarësisë së popullit të tij”, tha ai.
Ai theksoi se forcat jemenase po monitorojnë nga afër të gjitha lëvizjet ushtarake në rajon.
“Ne do të marrim masat e nevojshme për të mbrojtur vendin. Jemeni nuk do të qëndrojë duarkryq përballë asnjë agresioni kundër shtetit islamik”, theksoi Saree.
Së fundmi, ai tha se Houthit nuk do t’i harrojnë banorët e Gazës.
“Kjo është beteja e të gjithë kombit. Ne nuk do t’i braktisim vëllezërit tanë në Gaza dhe do të vazhdojmë me të gjithë ata që kundërshtojnë agresionin sionist, qoftë në vetëmbrojtje apo në mbështetje të rezistencës palestineze”, përfundoi ai.