Live

Hovenier – zyrtarëve të VV-së: Pretendimet se Kurti ende ka marrëdhënie të mira me SHBA-të nuk janë të vërteta

15:53 / 17 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka komentuar pretendimet e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje që thonë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka raporte të mira me Shtetet e Bashkuara.

Diplomati amerikan ka bërë me dije se një pretendim i tillë nuk është i vërtetë.

Tutje shtoi se “nëse gjithçka do të ishte mirë, nuk do të kishte pasur nevojë për këtë vendim për të pezulluar Dialogun Strategjik”.

“Është e vështirë ta them, sepse edhe më herët ka pasur sfida të tjera në këtë marrëdhënie dypalëshe. Por, kjo nuk është një situatë e këndshme. Kjo është një pengesë e keqe për realizimin e vizionit që SHBA-ja ka pasur që nga pavarësia, dhe që populli i Kosovës ka pasur po ashtu, për një bashkëpunim të përmirësuar dhe një partneritet më të fuqishëm. Një gjë që kam vënë re në postimet në rrjetet sociale dhe deklaratat e tjera të zyrtarëve, është se disa po përpiqen ta minimizojnë këtë. Disa thonë se Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës ende kanë marrëdhënie të mira me SHBA-në, por kjo, thjesht, nuk është e vërtetë. Nëse gjithçka do të ishte mirë, nuk do të kishte pasur nevojë për këtë vendim për të pezulluar Dialogun Strategjik – përkohësisht ose për një kohë të pacaktuar. Kjo tregon se administrata e Trumpit u frustrua aq shumë sa ndjeu se duhej të ndërmerrte veprime, sepse deklaratat publike nuk mjaftonin për ta rikthyer marrëdhënien siç donte”, ka thënë ai për rel.

Shpërndaje në

U Kopjua