Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha me bashkëpunëtorë, takoi të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën bëhet e ditur se diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me situatën e sigurisë së përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe tema të ndryshme në interes të organizatës policore.
Hoxha ndër të tjera tha se Policia e Kosovës bazuar në detyrat, misionin dhe vizionin e saj, si një polici profesionale, po përmbush me sukses objektivat e saja strategjike, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues dhe shërbimit ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi, thuhet në njoftimin e policisë.
Më tej theksohet se palët diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjithë qytetarëve me qëllim që ata dhe komunitetet e tyre të mbahen të sigurt në mënyrë efektive.