Live

Hoxhaj: Kosova të insistojë në reciprocitet për shqiptarët në Luginën e Preshevës

15:48 / 09 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se e ka takuar kryetarin e Preshevës, z. Shqiprim Arifi. Sipas këtij njoftimi gjatë takimit Hoxha dhe Arifi kanë biseduar rreth të drejtave kombëtare dhe qytetare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Hoxhaj me këtë rast ka thënë se mbështetja e Kosovës për Luginës nuk do të mungojë. Sipas tij Kosova duhet të insistojë për reciprocitet të plotë për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, ashtu si i ka pakica serbe në Kosovë.

“Qytetarët e Luginës së Preshevës e kanë pasur dhe do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen e institucioneve të Kosovës në realizimin dhe garantimin e të gjitha të drejtave të tyre. Kosova duhet të insistojë në reciprocitet të plotë me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë”, ka shkruar Hoxha.

Në fund të këtij njoftimi të Hoxhajt thuhet se “Qeveria e re me PDK-në do t’i intensifikojë kontaktet e ndërsjella dhe është e gatshme të garantojë ndikimin e drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Luginë të Preshevës”.

Shpërndaje në

U Kopjua