Live

”I dënojmë taktikat ruse” – Presidenti i Letonisë flet për mashtrimin që iu bë Kurtit nga rusët

14:25 / 27 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri Albin Kurti ra pre e dy humoristëve rusë të njohur si Vovan dhe Lexus, të cilët iu prezantuan atij si presidenti i Letonisë në një bisedë me video. Për këtë incident të sikletshëm për Kurtin është në dijeni presidenti letonez Edgars Rinkēvičs, zyra e të cilit në një përgjigje për Gazetën Express tha se e dënojnë këtë akt si pjesë e propagandës ruse.

Gjashtë ditë pas vizitës së presidentit të Letonisë, Edgars Rinkēvičs, dy komedianët rusë Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur si Vovan dhe Lexus, dje publikuan një video të bisedës me kryeministrin Albin Kurti ku u prezantuan si presidenti i Letonisë. Megjithatë, biseda ishte zhvilluar dy ditë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, siç sqaroi më pas Zyra e Kryeministrit.

Për këtë incident Presidenca letoneze në një përgjigje për Kosovalive tha se janë në dijeni dhe se e dënojnë këtë akt si formë të propagandës ruse.

“Ne jemi në dijeni për këtë incident dhe dënojmë taktika të tilla si një formë e propagandës ruse dhe dezinformimit”, tha zëdhënësi i Presidencës së Letonisë, Dāvis Doršs.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë pre e një mashtrimi nga disa rusë të cilët bëjnë video duke i mashtruar liderët botërorë e figura tjera publike.

Kurti, me pretendimin se po flet me presidentin e Letonisë, s’la gjë pa thënë për partitë opozitare dhe për ndërkombëtarët.

Gjatë bisedës me presidentin e Letonisë, Kurti u shpreh se ka ndodhur ‘luftë hibride’’ ndaj tij në zgjedhjet e fundit.

‘’Lufta hibride ka ndodhur nga Serbia dhe Rusia, por edhe nga disa nga Kosova, kështu që premtimet e pabaza të opozitës ku disa nga ta kanë flirtuar me  luftën hibride dhe e treta disa oligarkë në veçanti një prej tyre që posedon television…’’ – u shpreh ai.

‘Gjithë këto katër vite kundër meje’’ – kështu u përgjigj Kurti kur nis të flasë për  emisarin e SHBA-ve, Richard Grenell

Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur edhe si Vovan dhe Lexus, për shumë kohë kanë mashtruar liderë të njohur botërore e figura të tjera publike.

Zakonisht, ata në këto biseda shfaqen si liderë apo zyrtarë të tjerë, derisa në rastin e Kurtit, janë paraqitur si presidenti i Letonsië.

Shpërndaje në

U Kopjua