Live

Ilir Meta voton nga burgu

13:42 / 11 Maj 2025

Nga Kosova Live

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka votuar nga burgu.

Këtë e bëri të ditur vetë ai përmes një postimi në Facebook, ku thotë se mediat ishin të njoftuara për të qenë të pranishme në momentin e votimit, por sipas tij, sapo “patronazhistët” njoftuan se doli i veshur kuq e zi nga qelia, gazetarët nuk u lejuan të hynin në qendrën e votimit.

“Unë sapo votova sepse sot është një ditë historike për të gjithë ju dhe për Shqipërinë tonë! Në respekt të interesimit të mediave, që kishin kërkuar të ishin të pranishme, në procesin e votimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, isha dakordësuar prej dy ditësh me administratën këtu, pas kërkesës së tyre, që të votoja sot pikërisht në orën 10:00, siç ishin njoftuar edhe mediat. Por sapo patronazhistët njoftuan se unë dola i veshur Kuq e Zi nga qelia e narkoregjimit, gazetarët nuk u lejuan të hynin në qendrën e votimit”, ka shkruar Meta, njofton Klankosova.tv.

“Kreu i Organizatës tmerrohet nga ngjyrat Kuq e Zi në përgjithësi por në veçanti nga ngjyrat Kuq e Zi të Ilir Metës sepse ato i kujtojnë atij, por mbi të gjitha të gjithë shqiptarëve patriotë, mbrojtjen e Kushtetutës. Se ato u kujtojnë të gjithë shqiptarëve patriotë në Shqipëri dhe anembanë botës mbrojtjen e kufijve të Kosovës nga Presidenti Ilir Metaj. Ai ka tmerr edhe nga pamjet live të Ilir Metaj sepse ka tmerr nga vota e lirë dhe liria e shqiptarëve”, thotë më tej ai.

Tutje, kryetari i Partisë së Lirisë u bëri thirrje shqiptarëve që të dalin dhe të votojnë.

“Ndaj sot në këtë ndeshje historike midis “status quo”-së dhe Ndryshimit i ftoj të gjithë shqiptarët patriotë dhe kuqezinj, të votojnë, të votojnë dhe vetëm të votojnë. Ndryshon vetëm ai popull që lufton dhe voton! Ne jemi popull shqiponjash dhe sot është koha për ta dëshmuar si kurrë më parë”, shkruan Meta.

Shpërndaje në

U Kopjua