Live

Intervista e parë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë – Biden paralajmëron për rrezikun nga lëshimet ndaj Rusisë

08:00 / 07 Maj 2025

Nga Kosova Live

Joe Biden ka dënuar ashpër idenë që Ukraina të dorëzojë territore ndaj Rusisë, duke e quajtur këtë “qetësim i ditëve të sotme”, në një intervistë ekskluzive për BBC – të parën që nga largimi i tij nga Shtëpia e Bardh.

Duke folur në kuadër të 80-vjetorit të Ditës së Fitores në Evropë, Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin beson se Ukraina është pjesë e Rusisë dhe shtoi: “Kushdo që mendon se do të ndalet” nëse ndonjë territor jepet si pjesë e një marrëveshjeje paqeje “është thjesht budalla”.

Ish-presidenti shprehu shqetësim për dëmtimin e marrëdhënieve transatlantike nën administratën Trump, duke paralajmëruar se kjo “do të ndryshonte historinë moderne të botës”.

Në intervistën për BBC Radio 4, Biden foli edhe për tërheqjen e tij nga kandidimi për rizgjedhje në vitin 2024, pas një performance të dobët në debat që nxiti kritika dhe trazoi Partinë Demokratike. I pyetur nëse duhet të ishte tërhequr më herët, ai u shpreh: “Nuk mendoj se do të kishte pasur rëndësi. U largova në një kohë kur kishim një kandidat të mirë.”

Ai shtoi: “Gjërat lëvizën aq shpejt sa e bënë të vështirë largimin. Dhe ishte një vendim i vështirë… Mendoj se ishte vendimi i duhur.”

Në lidhje me politikat e administratës Trump ndaj aleatëve të SHBA-së, Biden kritikoi idetë e ish-presidentit për të rimarrë Kanalin e Panamasë, për të përvetësuar Groenlandën dhe për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të: “Çfarë dreqin po ndodh këtu? Cili president flet ndonjëherë kështu? Ne nuk jemi kështu,” u shpreh ai. “Ne jemi për lirinë, demokracinë, mundësitë, jo për konfiskimin“.

Sa i përket ndihmës për Ukrainën, Biden tha: “Ne u dhamë atyre gjithçka që u nevojitej për të siguruar pavarësinë e tyre dhe ishim të përgatitur të përgjigjeshim, më agresivisht, nëse Putini do të ndërmerrte përsëri veprime“.

Shpërndaje në

U Kopjua