IPK ka rekomanduar suspendimin për një zyrtar policor të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkruan Periskopi.
Siç thuhet në njoftim, dyshohet se zyrtari policor duke shfrytëzuar bazën e të dhënave të policisë kufitare në mënyrë të paautorizuar, ka verifikuar në sistem të dhënat e një qytetari.
Njoftimi i plotë:
IPK rekomandon suspendimin për një zyrtar policor të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar
Prishtinë/ Prizren, 25 korrik 2025
Bazuar në autorizimet ligjore, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor i cili ishte i angazhuar me detyrë në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare Perëndimi – Gjakovë.
Hetuesit e IPK-së kanë filluar një hetim me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” kurse pas konsultave me Prokurorinë e Themelore në Prizren rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtari policor duke shfrytëzuar bazën e të dhënave të policisë kufitare në mënyrë të paautorizuar, ka verifikuar në sistem të dhënat e një qytetari – shtetas i Republikës së Kosovës.
Qytetari nuk ka qenë fare prezent në këtë pikë kalim kufitar kurse dyshimet janë se zyrtari policor e ka bërë këtë verifikim që të vërtetonte nëse shtetasi ishte apo jo në kërkim policor.
Hetuesit e IPK-së në koordinim më Prokurorinë Themelore në Prizren do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
Me respekt;
Divizioni për bashkëpunim dhe informim
Inspektorati Policor i Kosovës