Konflikti në Lindjen e Mesme ishte tema e radhës që u diskutua në emisionin “Ora Shtatë”.
Gazetari Ardian Gaxheri tha se pika më e nxehtë e konfliktit atje ka qenë gjithmonë Gaza, derisa foli edhe për “luftën” e re mes Iranit dhe Izraelit, transmeton Klankosova.tv.
“Pika më e nxehtë ka qenë Gaza tash e shumë dekada, dhe çdo konflikt tjetër fillon nga konfliktet mes Izraelit dhe Palestinës, dhe tani kemi një konflikt të hapur të ri, që është Izraeli me Iranin ku tensionet filluan të përshkallëzoheshin, por me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian tashmë tensionet kanë rënë, dhe po shihet se po shkohet në drejtim të një marrëveshjeje të armëpushimit, faktikisht kanë arritur një armëpushim, por që ta bëhet më e gjatë kjo marrëveshje”, u shpreh gazetari.
Nga ana tjetër, njohësi i Lindjes së Mesme, Endri Tafani thotë se është Irani ai që ka përdorur Hamasin, grup militant në Palestinë, që sipas tij për të mbajtur të nxehtë sulmin ndaj Izraelit.
“Për të kuptuar deklaratën e Trumpit, duhet kuptuar njëherë specifikën e luftës në Gaza. Hamasi është i financuar nga Irani, pra në qoftë se ka një vend që mbështet Hamasin, është Irani. Është Irani që e ka përdorur Hamasin për të mbajtur të nxehtë valën, le të themi të sulmeve në Irzael, dhe me këtë rast Irani donte të dilte në sytë e vendeve të Lindjes së Mesme si shteti i cili do të zgjidhte çështjen e shtetit palestinez me forcë, dhe në një mënyrë ta zhdukte Izraelin. Kjo bindte në kundërshtim me logjikën, sepse një shtet që ka armë atomike si Izraeli, nuk mund të zhduket, sepse normalisht një gjë që bën një shtet i tillë është të shtyp një buton dhe të gjithë zonën e kthen në një shkretëtirë nukleare. Dhe po ashtu binte në kundërshtim me vullnetin e shteteve arabe”, u shpreh Tafani.
Ndërsa njohësi i gjeopolitikës, Emanuel Bajra deklaroi se tani bota është në një fazë të re, siç e thotë ai, faza e paparashikueshmërisë.
“Jemi futur në një fazë të re, jemi në fazën e paparashikushmërisë, kemi një administratë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që funksionin me anë të medieve sociale, politikat bëhen në ‘Truth Social’ ose ‘X’, dhe e pamë dje në Samitin e NATO-s që i gjithë fokusi i etniteteve të rëndësishme e kanë te presidenti Trump”, tha ai.