Ish-presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është arrestuar sërish lidhur me përpjekjen e dështuar për shpalljen e gjendjes ushtarake në dhjetor të vitit të kaluar, që shkaktoi krizë politike në vend.
Ai u shkarkua nga posti në prill dhe përballet me akuza për kryengritje dhe shkelje të të drejtave të ministrave. Gjykata e Seulit lëshoi urdhër arresti, duke përmendur rrezikun e shkatërrimit të provave, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Prokurorët pretendojnë se Yoon urdhëroi provokime ushtarake ndaj Koresë së Veriut për të justifikuar gjendjen ushtarake. Ai rrezikon burgim të përjetshëm ose dënim me vdekje.
Presidenti i ri, Lee Jae-myung, u zgjodh në qershor dhe ka premtuar forcimin e demokracisë dhe hetimin e plotë të veprimeve të Yoon.