Live

Izraeli godet 100 objektiva në Gaza, të paktën 33 viktima

15:18 / 06 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 33 palestinezë në Gazë, thanë zyrtarët shëndetësorë të dielën, ndërsa ushtria izraelite njoftoi se ka goditur mbi 100 objektiva në enklavën e rrënuar nga lufta.

Sulmet ndodhën ndërsa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po përgatitej të udhëtonte drejt Uashingtonit për bisedime në Shtëpinë e Bardhë, me qëllim shtyrjen përpara të përpjekjeve për një armëpushim.

Ndërkohë, një zyrtar izraelit tha se kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi të shtunën në mbrëmje dërgimin e ndihmave në pjesën veriore të Gazës, ku civilët po vuajnë nga mungesa e theksuar e ushqimit. Zyrtari nuk dha më shumë hollësi dhe foli në kushte anonimiteti, raporton REL.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar një plan për një armëpushim fillestar 60-ditor, që do të përfshinte lirimin e pjesshëm të pengjeve të mbajtura nga Hamasi, në këmbim të shtimit të ndihmave humanitare në Gazë.

Marrëveshja e propozuar parashikon edhe bisedime për përfundimin e plotë të luftës 21-mujore. Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe fuqitë e tjera.

Lufta në Gazë nisi kur militantët e udhëhequr nga Hamas sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë thotë se lufta izraelite pas 7 tetorit i ka vrarë mbi 57.000 palestinezë.

Sipas drejtorit të Spitalit Shifa, Mohammed Abu Selmia, 20 njerëz u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën pasi Izraeli goditi dy shtëpi në qytetin e Gazës.

Në jug të Gazës, 13 palestinezë u vranë nga sulmet në zonën Muvasi, një rajon pranë Mesdheut ku shumë të zhvendosur jetojnë në tenda, sipas zyrtarëve të Spitalit Nasser në qytetin fqinj Han Junis.

Pesë nga të vrarët ishin anëtarë të së njëjtës familje, sipas spitalit.

Ushtria izraelite nuk i komentoi sulmet individuale, por tha se ka goditur 130 objektiva në të gjithë Rripin e Gazës gjatë 24 orëve të fundit.

Ajo deklaroi se objektivat përfshinin struktura komanduese dhe kontrolluese të Hamasit, depo armësh, raketahedhës dhe se ka vrarë disa militantë në veri të Gazës.

Shpërndaje në

U Kopjua