Live

Izraeli thotë se do të lejojë hyrje të “sasisë bazike” të ushqimit në Gaza, i jep fund bllokadës 10-javore

08:15 / 19 Maj 2025

Nga Kosova Live

Izraeli ka njoftuar se do të lejojë hyrje të “sasisë bazike të ushqimit” në Gaza për t’u siguruar që “të mos zhvillohet krizë e vdekjes nga uria”, pasi e kishte bllokuar enklavën për dhjetë javë, raporton televizioni BBC.

Në një deklaratë të zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu thuhet se ky vendim është marrë me rekomandimin e ushtrisë izraelite dhe është i mbështetur në nevojën për ta përkrahur ofensivën e përtërirë ushtarake kundër Hamasit.

Njoftimi erdhi disa orë pasi ushtria izraelite tha se kishte filluar “operacione të gjera tokësore” në mbarë Gazën.

Izraeli është ballafaquar me trysni në rritje për ta hequr bllokadën ndaj ndihmave, gjatë së cilës nuk është lejuar futja e ushqimit, karburanteve ose ilaçeve në Gaza.

Agjencitë e ndihmave kanë paralajmëruar për rrezikun e vdekjes nga uria në mesin e popullsisë prej 2,1 milionë njerëzish në enklavë, përderisa dilnin pamje dhe rrëfime të fëmijëve me trupa thatanikë për shkak të kequshqyerjes.

Shpërndaje në

U Kopjua