Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka thënë se në çdo seancë për konsitutimin e Kuvendit të Kosovës kanë pritur që Lëvizja Vetëvendosje të reflektojë.
Në paraqitjen e saj para mediave, e njëjta theksoi se PDK-ja i ka dhënë mundësi kompromisi VV-së në vazhdimësi për të dalë nga ngërçi aktual.
“Në çdo tentativë realisht ne kemi pritur që Lëvizja Vetëvendosje të reflektojë për shkak që kemi dhënë mundësi ne për kompromis. Ne kemi dhënë kompromisin tonë, kështu që edhe sot shpresoj se do të reflektojnë me që është edhe hera e fundit edhe sipas Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Jashari.
Jashari pohoi se PDK-ja pret nga LVV-ja që sonte të kalohet me votim të hapur për zgjidhjen e kryetarit apo kryetares së re të Kuvendit të Kosovës.
“Gjithçka varet nga çka do të ndodh në Kuvendin e Kosovës, vazhdimisht kemi bërë thirrje që të kthehet në rendin e ditës, mendoj se kjo është pika kyçe që ne si PDK mendoj se e presim. Fillimisht shpresoj të kenë reflektuar dhe të kthehet sipas rendit të ditës, sepse në fund të fundit Kushtetuta e Kosovës është bërë me mund dhe sakrificë dhe për të ka luftuar populli ynë”, u shpreh Jashari.
Jashari theksoi se Kushtetuta nuk duhet të shkilet nga deputetët dhe ky duhet të jetë mesazhi që duhet t’ua japin qytetarëve.