Në intervistën ekskluzive me ish-presidentin, Hashim Thaçi, autori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi zbulon se e pyeti edhe për kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
“Ka përgjigje edhe për të”, tha Kelmendi në emisionin “Kosova today” ku zbuloi pak copëza të kësaj interviste e cila pritet të transmetohet së shpejti në Klan Kosova.
Poashtu, gazetari tregon se Thaçi ka folur gjatë edhe për familjen e tij, gruan, djalin e prindërit. Madje ka zbuluar edhe porositë e babait.
“Flet për të gjitha dhe ka çfarë të thotë, do ta shohim, por del të jetë i informuar, thotë se informohet nga mediat ndërkombëtare që të ketë distancë nga debatet e brendshme. Nuk po hy në specifika sepse është herët, po ju siguroj që ka mendim të qartë dhe ngre edhe pikëpyetje shumë domethënëse. Po, dhe ka përgjigje edhe për këtë (Albin Kurtin). Flitet edhe për se si e kanë zhvilluar dialogun edhe Kosova edhe Serbia për këto pesë vjetët e fundit, edhe për këtë ka mendim të qartë”.
“Flet hapur dhe plot emocion edhe për Endritin edhe për Lumën edhe për prindërit, e porositë që ia ka dhënë nëna, madje edhe e thotë cila ishte porosia e fundit. Sidomos pjesa e parë ka të bëjë me këtë, me familjen, përkushtimin ndaj familjes. Thaçi mu duk më i fortë me i pjekur dhe më vizionin më të qartë që ka pasur ndonjëherë, ndoshta duke pasur distancën edhe fizike edhe kohore, besoj se ndoshta nëse do të dalë i pafajshëm si presim, do të jetë versioni më i mirë i vetvetes. Është kërkues, besoj se edhe nga e gjithë ajo që i ka ndodhur, me përvojën e gjatë politike, me shumë nga ngjarjet historike, ka qenë protagonist kryesor. Po shkruan dhe po lexon shumë. Nuk e di a do të jetë një, apo disa libra. Besoj se material të bollshëm ka”, deklaroi Kelmendi.