Policia kundër terrorizmit ka arrestuar katër persona pasi disa avionë ushtarakë u spërkatën me bojë gjatë një ndërhyrjeje të paligjshme në bazën ajrore britanike “RAF Brize Norton”, në një incident që u mor përsipër nga një grup pro-palestinez.
Policia ka arrestuar një grua 29-vjeçare dhe dy burra, njëri i moshës 36 dhe tjetri 24-vjeçar, të dy nga Londra, me akuza për terrorizëm.
Një grua 41-vjeçare, pa vendbanim të caktuar, u arrestua me dyshimin për ndihmë ndaj një shkelësi.
Të dyshuarit e moshës 24, 29 dhe 36 vjeç dyshohen për “kryerje, përgatitje ose nxitje të akteve të terrorizmit”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Arrestimet u kryen në Newbury, Berkshire dhe të gjithë të dyshuarit kanë mbetur në paraburgim.
Policia antiterroriste nuk dha detaje të mëtejshme rreth individëve që kishte arrestuar, as lidhjen e tyre të dyshuar me incidentin.