KEK nuk do të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për asnjë biznes për një periudhë minimale prej 60 ditësh, pavarësisht nëse gjatë kësaj kohe bizneset kanë arritur apo jo të lidhin kontratë me këtë kompani.
Kjo u bë e ditur përmes një një njoftim të Odës Ekonomike të Kosovës.
“Oda Ekonomike e Kosovës njofton opinionin publik dhe bizneset anëtare se më datë 9 qershor 2025, ka zhvilluar një takim konstruktiv me Ushtruesin e Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, z. Gramos Hashani, dhe ekipin e tij drejtues. Temë kryesore e diskutimit ishte zbatimi i Rregullores së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF) të energjisë elektrike”.
“Gjatë takimit, Hashani theksoi se KEK, në cilësinë e furnizuesit të FMF-së, nuk do të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për asnjë biznes për një periudhë minimale prej 60 ditësh, pavarësisht nëse gjatë kësaj kohe bizneset kanë arritur apo jo të lidhin kontratë me KEK-un si FMF|, njofton OEK.
KEK gjithashtu ka bërë të ditur se është në vazhdimësi duke inkurajuar konsumatorët që të gjejnë sa më herët furnizuesin e ri të energjisë, në mënyrë që të shmangin çdo pasiguri në furnizim pas përfundimit të periudhës 60-ditore.
“Njëkohësisht, KEK ka informuar se ofron edhe kontrata komerciale, si mundësi shtesë për bizneset që duan të vazhdojnë bashkëpunimin me këtë operator si furnizues i drejtpërdrejtë në tregun e hapur”.
Ndërkohë, bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka njoftuar se ia ka vazhduar Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK) afatin si Furnizues të Mundësisë së Fundit (FMF) për një periudhë gjashtëmujore, nga 31.08.2025 deri më 31.01.2026.