Avokati Arianit Koci ka dalë në mbrojtje të prokurorit Amir Shala, i cili po merret me rastin e Ministrisë së Bujqësisë, ku në pyetje një ditë më parë u mor dhe ministri në detyrë Faton Peci.
Koci ka thënë se kur një prokuror sulmohet pa fakte, vetëm për të krijuar presion publik, nuk dëmtohet vetëm drejtësia, por dëmtohemi të gjithë.
“E kuptoj plotësisht që z. Peci don të mbrohet para publikut. Ka drejtë të mbrohet. Ka të drejtë edhe të zemërohet. Uroj që ta vërtetojë pafajësinë! Por kur një prokuror sulmohet pa fakte – vetëm për të krijuar presion publik – nuk dëmtohet vetë drejtësia. Dëmtohemi të gjithë”, ka shkruar Koci.
Postimi i plotë i Kocit:
Një avokat që i del në mbrojtje një prokurori – nuk është veprim i zakonshëm.
As i mençur – kishin me thënë oportunistët dhe poltronët.
Nuk sjell simpati. Nuk të shton klientë.
Por kur bindesh se dikush brenda sistemit nuk e ka humbur dinjitetin, nuk mundesh me heshtë.
——-
Jam në përballje të përhershme me prokurorët – përballje profesionale.
Kjo është natyra e profesionit tim: t’i sfidoj profesionalisht, t’ua kundërshtoj faktet, aktakuzat, logjikën.
Jo t’i lavdëroj.
——-
Privatisht, nuk mbaj kontakt me asnjërin.
As kafe, as miqësi, as mesazhe pas orarit.
Disa prej tyre, megjithatë, i respektoj. Edhe pa shkëmbyer asnjë fjalë.
Sepse respekti nuk lind nga afërsia – por nga mënyra si e mbajnë barrën që u takon.
Kanë integritet moral dhe profesional.
Janë të paktë.
Punën e bëjnë. Ligjin e zbatojnë. Nuk bëjnë pazare. Nuk dëmtojnë për interesa të huaja.
Nuk i shërbejnë sistemit me kompromis – por me përmbajtje.
Në atë grup futet edhe prokurori special Admir Shala – që aktualisht po heton një nga çështjet më të ndjeshme në vend: rastin e Ministrisë së Bujqësisë.
E njoh prej sallës së gjyqit.
Nuk jemi takuar që së paku pesë vjet.
⸻
Me shumicën e prokurorëve komunikoj vetëm përmes shkresave.
Me kryeprokurorë – thuajse kurrë.
Punët i kryej me nder e dinjitet.
Pa ndërmjetësime. Pa servilizëm.
Mbroj klientët me faktet, me ligjin dhe me gjithë kapacitetin intelektual që kam.
Nuk bëj kompromise me të vërtetën.
Por, as nuk rri i heshtur për hir të marrëdhënieve të mira me këdoqoftë.
Në fakt – jam shumë agresiv në mbrojtjen e klientit.
Sidoqoftë, nuk kryej vepra penale, e as veprime të pandershme e të padinjitetshme për askënd.
⸻
E di mirë që sot ka gjithnjë e më shumë prokurorë që nuk veprojnë nga bindja apo profesionalizmi – por nga frika: e fillojnë hetimin prej presionit publik.
Në disa raste, edhe ngrisin aktakuza pa prova të fuqishme.
Barrën dhe obligimin profesional ia lënë gjykatës. Vetëm që të ruajnë veten.
Për ta – nuk kam respekt. I trajtoj me përçmin. Madje, disave as nuk iu flas në rrugë.
⸻
Prokurori special Admir Shala nuk është prej tyre.
E kam parë në gjykime. I urtë, i qetë, i përmbajtur.
Kemi qenë kundërshtarë. Por edhe kur jemi përballur; kur e kam sulmuar me prova e fakte, e ka ruajtur qetësinë, etikën dhe integritetin profesional.
A është i pagabueshëm? Jo. Askush nuk është.
Të gjithë gabojmë!
A ka gjasa që nuk ka prova solide për këtë rast? Ka mundësi.
A është i korruptuar?
Deri më sot – nuk kam dëgjuar asnjë informacion të besueshëm që e ngarkon.
Dhe unë kam shumë – shumë informata. Besoni. Për shumëkënd.
Për aq sa di, nuk është hakmarrës. Nuk është manipulues. Nuk është malicioz.
E kjo nuk është pak – në një sistem si ky i yni.
⸻
E kuptoj plotësisht që z. Peci don të mbrohet para publikut. Ka drejtë të mbrohet.
Ka të drejtë edhe të zemërohet.
Uroj që ta vërtetojë pafajësinë!
Por kur një prokuror sulmohet pa fakte – vetëm për të krijuar presion publik – nuk dëmtohet vetë drejtësia.
Dëmtohemi të gjithë.
⸻
Për ata që e akuzojnë për lidhje me PDK, prokurorin Shala – po ju tregoj:
Sa ka qenë kryeprokuror në Prizren, janë hetuar dhe janë ngritur aktakuza ndaj shumë eksponentëve të PDK-së në atë qytet. Nuk e ka kursyer askend.
Madje, sa ka qenë në pushtet komunal PDK, zyrtarët e kësaj partie ka qenë targeti kryesor.
Disa prej tyre – i kam mbrojtur vetë.
⸻
Mbase nuk është momenti më i mirë për ta mbrojtur një prokuror në këtë ambient politik, social dhe medial skajshmërisht të kontanimuar. Ku të gjithë janë kundër të gjithëve.
Por nuk më intereson as koha, as opinioni.
Nuk taktizoj e as nuk koketoj me askend!
Flas kur bindem se duhet.
Mendoj vetëm për një gjë: të vërtetën.
Besoj se ky është kontributi im për të mirën e përgjithshme.
⸻
Për fund, një kujtim që nuk më është fshirë nga kujtesa:
Shumë vite më parë, më duheshin disa prova materiale.
Shkova në Prokurorinë Speciale dhe kërkova ta takoj prokurorin Shala.
Më thanë:
“Admiri është në pushim vjetor. Gjatë Ramazanit gjithmonë e shfrytëzon pushimin.”
——
Agjërimi nga agimi deri në perëndim të diellit – pa ujë dhe pa ushqim – në shumë raste e ul nivelin e energjisë, përqendrimit dhe rezistencës fizike.
Sidomos në orët e pasdites.
Për shumë profesionistë që merren me vendimmarrje të ndjeshme – kjo ndikon në performancën ditore.
Sidoqoftë, kjo apriori nuk është dëshmi e ndershmërisë së prokurorit.
Por është një tregues domethënës për një njeri që funksionon me ndërgjegje.
Dhe në një sistem ku në shumë raste ndërgjegjja mungon – kjo vlen shumë.
⸻
Fati i mirë i yni është që Admir Shala nuk është i vetmi.
Ka edhe të tjerë si ai.
Pak – por mjaftueshëm për të mos e humbur shpresën.