Live

Komisioni Evropian fton Kosovën ta ratifikojë marrëveshjen për milionat

16:47 / 01 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Plani i Rritjes për rajonin, një iniciativë e rëndësishme për integrimin dhe zhvillimin ekonomik, mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Ky zotim u bë pas takimit rajonal të mbajtur të martën në Shkup, ku komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, u takua me udhëheqësit e vendeve të rajonit.

“Pas një viti të avancimit të reformave dhe bashkëpunimit intensiv në fusha të tilla si financat, transporti, lidhja digjitale dhe integrimi i tregut, komisionerja Marta Kos dhe udhëheqësit bënë një vlerësim të përparimit të bërë deri tash. Ata po ashtu konfirmuan vendosmërinë për t’u takuar rregullisht për ta ruajtur vrullin politik pas zbatimit të Planit”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian, ku bëhet e ditur se takimi i radhës do të mbahet në vjeshtë.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe 600 reformat ambicioze që shtetet duhet t’i përmbushin për të përfituar nga paketa prej 6 miliardë eurosh në kuadër të Planit të Rritjes. Deri më tani, katër vende – Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – i kanë marrë mjetet e parafinancimit.

Ndërkohë, Kosova vazhdon të mbetet prapa në këtë proces. Komisioni Evropian ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të përshpejtojnë procedurat për vënien në fuqi të Marrëveshjes për Instrumentin e Planit të Rritjes dhe Marrëveshjes për Hua – proces që kërkon konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kosova pritet të përfitojë rreth 60 milionë euro, nëse përmbush hapat e kërkuar nga BE-ja.

Shpërndaje në

U Kopjua