Live

Kosova lëvdohet për angazhim në luftën kundër ISIS-it

13:23 / 02 Gusht 2019

Nga Kosova Live

I ngarkuari për luftë  kundër terrorizmit në Departamentin Amerikan të Shtetit, Nathan Sales, e ka ranguar  Kosovën ndër vendet që kanë pasur sukses në trajtimin e luftëtarëve të kthyer nga ISIS-i, raportoi të premten DW.

Ambasadori Nathan Sales tha se Kosova është një nga vendet e para në riatdhesimin e qytetarëve të vetë, që kanë luftuar për ISIS-in.

 “Sa i përket riatdhesimit dhe gjykimit të luftëtarëve të huaj ne kemi pasur disa suksese dhe duam që ato të shtohen. Vende si Kazakistani dhe Kosova kanë qenë në gjendje të riatdhesojnë dhjetëra dhe në disa raste qindra luftëtarë dhe familjarë të tyre, kanë dënuar ata që kanë bërë krime dhe kanë dërguar në qendra rehabilitimi fëmijët dhe familjarët, të cilët marrin pjesë në programe çradikalizimi dhe integrimi”, ka thënë Sales.

Duke përmendur Italinë, e cila ka thënë së fundmi se do të riatdhesojë një luftëtar të huaj, i cili do të gjykohet për vepër penale, ambasadori Sales kërkoi që më shumë vende perëndimore të bëjnë të njëjtën gjë.

”Çdo vend është i detyruar të zgjidhë problemin e qytetarëve të vet, që kanë shkuar për të luftuar për ISIS. Asnjë vend nuk duhet të presë që SHBA ose SDF, forcat demokratike siriane të zgjidhin këtë problem për ta. Ky është një problem që ka të bëjë me vendin ku janë radikalizuar më parë këta luftëtarë të huaj”, tha Sales.

Ai më tej ka theksuar se i ashtuquajturi ISIS Kalifat është shkatërruar, por lloje të tjera të ISIS vazhdojnë të jenë të gjalla në gjithë botën. Ai përmendi Afrikën dhe Azinë juglindore si shembuj ku shihen rreziqe për shembull në Nigeri, Egjipt dhe Sri Lanka e Afganistan.

Shpërndaje në

U Kopjua