Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se brenda një viti Kosova do t’i pranojë deri në 50 emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim të lehtësimit të kthimit të sigurt të tyre në vendin e prejardhjes.
Kurti ka shkruar në Facebook të mërkurën se përzgjedhja e tyre do të bëhet nga një listë e propozuar, për ata që i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe të rendit publik.
Ai ka shtuar se gjatë qëndrimit në Kosovë, këta persona do të veprojnë “në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”.
Postimi i plotë:
Si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë, sot e përkthyem në Vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të.
Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik.