Kosova është përfshirë sot nga një valë zjarresh në disa rajone të vendit, duke shkaktuar ngordhjen e bagëtive, dëme të konsiderueshme materiale, por edhe duke nxitur mobilizim të madh të njësive të emergjencës.
Mes tyre, komunat e Prizrenit, Suharekës, Vitisë, Mitrovicës, Prishtinës, Istogut, Drenasit dhe Podujevës janë goditur nga vatra të ndryshme zjarri.
Ky “zinxhir zjarresh” nisi po në kryeqytet, gjegjësisht në Kodrën e Trimave, ku një vatër zjarri shpërtheu në një fushë të hapur rreth orës 22:00. Zjarrfikësit e lokalizuan fillimisht flakën, por rreth orës 23:30 ajo u riaktivizua, duke detyruar ndërhyrje të përsëritur nga ekipet emergjente.

Një zjarr shpërtheu në fshatin Nashec të Prizrenit. Sipas Policisë Rajonale, zjarri është shuar pa pasoja në njerëz, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve, policisë dhe qytetarëve ka ndihmuar në stabilizimin e situatës. Një vatër masive zjarri përfshiu edhe fshatin Lubizhdë, duke rrezikuar edhe shtëpitë përreth. Zjarri u lokalizua pas ndërhyrjes intensive të ekipeve emergjente. Aty u raportua për dëme materiale, por jo për viktima. Edhe në lagjen “Bajram Curri” në Prizren janë raportuar flakë që kanë përfshirë zona të hapura. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë në kohë për të parandaluar përhapjen më të gjerë të zjarrit.

Ndërkaq, në komunën e Suharekës ka pasur zjarre në fshatrat Dubravë, Sopijë, Sllapuzhan, Sallagrazhdë, Mushtisht dhe Shirokë. Aty qytetarët u angazhuan përkrah zjarrfikësve për të ndaluar flakët, ndërsa kryetari i komunës, Bali Muharremaj, bëri thirrje publike për ndihmë dhe mobilizim.

Në fshatin Zasellë të Mitrovicës, një pjesë e madhe e pyllit u përfshi nga zjarri, duke sjellë nevojën për ndërhyrje nga ajri me helikopterë, për shkak të përmasave të mëdha të flakëve.

Në fshatin Banjë të Istogut, kulmi i një shtëpie u përfshi nga flakët. Pamjet treguan pronarin që përpiqej me mjete të thjeshta ta shuante zjarrin. Zjarrfikësit arritën në vendngjarje dhe ndihmuan në lokalizimin e flakëve.

Një ngjarje tragjike ndodhi në Stubëll të Poshtme të Vitisë, ku një stallë u dogj duke shkaktuar ngordhjen e 42 deleve. Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, vizitoi fermerin dhe premtoi ndihmë të menjëhershme për familjen.

Komuna e Podujevës raportoi zjarre në disa fshatra pyjore, duke paralajmëruar qytetarët që zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale. Autoritetet apeluan për kujdes të shtuar dhe ndërgjegjësim për mjedisin dhe pasurinë publike.

Edhe në Komunën e Drenasit, për shkak të temperaturave të larta dhe thatësisë së madhe, janë shfaqur disa vatra zjarri në zonat malore, duke përfshirë, sipas njoftimit zyrtar të komunës, Llapushnikun, Komoranin, Nekocin, Gllobarin, Poklekun e Vjetër dhe Vasilevën. Ekipet e zjarrfikësve, së bashku me zjarrfikësit e kompanisë Feronikeli, kanë ndërhyrë për të lokalizuar flakët, por aktualisht vatrat në Vasilevë dhe Gllobar mbeten aktive dhe po vazhdohet me përpjekjet për kontrollimin e tyre.

Sipas Policisë, zjarret në shumë prej këtyre zonave tashmë janë shuar ose janë nën kontroll. Në fshatin Zasellë të Mitrovicës, ndërhyrja është ende në zhvillim për shkak të përmasave të mëdha.