Live

Kosovës i bëhet thirrje që ta shfrytëzojë mundësinë në rrugën drejt BE-së

17:49 / 28 Maj 2025

Nga Kosova Live

Disa nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropianë të akredituar në Prishtinë, përfshirë edhe shefin e Zyrës së BE-së, i kanë bërë thirrje Kosovës t’i kryejë detyrat që i takojnë dhe të shfrytëzojë mundësinë e re në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në bllokun evropian.

Sipas diplomatëve evropianë të akredituar në Prishtinë, ndër detyrat kryesore për të mbesin dialogu me shtetin fqinj Serbinë, e në veçanti Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas tyre.

Me këtë rast, shefi i Zyrës së BE-së Aivo Orav, ka thënë se Kosova ka mundësi reale për t’u afruar me BE-në, por theksoi se krahasimet me vendet fqinje nuk ndihmojnë në këtë drejtim.

“Ju mund t’i bëni gjërat dhe mund ta çoni vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Dhe dua të them që argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere – Presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë Jorn Rohde, ka thënë se Kosova urgjentisht duhet të formojë institucionet dhe se politikanët duhet të vendosin shtetin të parin.

Pas dështimit për herë të 22-të të konstituimit të Kuvendit, Rohde në një deklaratë për KosovaPress theksoi se kjo situatë është kthyer në një bllokadë që po ndikon negativisht në perceptimin e Kosovës nga jashtë, transmeton Klankosova.tv.

Rohde tha se mungesa e institucioneve funksionale jo vetëm që ndikon në proceset e brendshme të vendimmarrjes, por gjithashtu pengon Kosovën të përfitojë nga iniciativat ndërkombëtare, siç është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

“E përshkruan fjala, është ngërç, është ndalesë. E thashë javën e kaluar, i bën njerëzit apatik dhe gjëja e fundit që i nevojitet një demokracie të gjallëruar është bllokada. Njerëzit kanë kryer punën e tyre me 9 shkurt dhe politikanët duhet të vendosin shtetin të parin, ndërsa politikën e partisë të dytën. Pra, mendoj se nevojitet urgjentisht që Kosova të formojë institucionet. Por, nuk është puna ime të bëjë punën e politikanëve, unë mund vetëm të observoj por mund të të them për siguri se nuk rrit imazhin e Kosovës jashtë vendit. Nëse nuk ke një institucion funksional është e vështirë të bësh detyrat e shtëpisë, sepse nuk ke fuqinë e prokurës të bësh vendime të vështira, të cilat nevojiten tani. Pavarësisht se a janë paratë e Planit të Rritjes të BE-së, të cilat janë në pritje për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk është funksional, pra nuk mund të ratifikosh marrëveshjen”, tha Rohde.

Derisa, ambasadori francez Olivier Guerot, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është një Republikë Sërpska dhe se ai do të jetë nën Kushtetutën e Kosovës.

Në një konferencë të organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike me temën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, ai tha se Asociacioni nuk ka funksion legjislativ dhe se i njëjti nuk ka asnjë ngjashmëri me Republika Sërpskan.

“Nuk është një Republikë Sërpska, aspak. Lexoni sërish Marrëveshjen e Dejtonit. Po shënojmë 30-vjetorin e Dejtonit. Lexoni se çfarë është Republika Sërpska dhe krahasojeni me statutin. Nuk ka asnjë ngjashmëri. Nuk ka polici për Asociacionin. Nuk ka funksion legjislativ për Asociacionin. Asociacioni do të jetë nën kushtetutë, jo pjesë e kushtetutës siç është Republika Sërpska”, tha Guerot.

Shpërndaje në

U Kopjua