Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka kërkuar nga qytetarët e Komunës së Prishtinës që të kryejnë pagesat për shërbimet e grumbullimit të mbeturinave, duke theksuar se ky është një obligim ligjor.
Në njoftimin e saj, kompania i referohet Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave, për të cilën Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën e Komunës për pezullimin e saj.
“Kjo nënkupton se pagesa e faturave për shërbimin e mbeturinave është detyrim ligjor për të gjithë qytetarët. Pagesat e rregullta mundësojnë ofrimin e një shërbimi më të mirë, më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm në kryeqytet”, thuhet në njoftim.
Për të lehtësuar procedurën, qytetarët kanë mundësi të realizojnë pagesat edhe online përmes platformës e-Kosova, si dhe në sportelet fizike të kompanisë.
Në rast të mospagesës, “Pastrimi” ka paralajmëruar masa ligjore dhe administrative ndaj konsumatorëve.
“Ftojmë konsumatorët që të kryejnë pagesat në kohë dhe të shmangin procedurat administrative apo ligjore që mund të ndërmerren në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi”, thuhet më tej në njoftim.