Live

Kryeziu: Ne kemi vendosur për Haxhiun dhe presim që ky vendim të respektohet nga opozita

12:22 / 25 Maj 2025

Nga Kosova Live

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, ka akuzuar partitë tjera për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ajo theksoi se Vetëvendosje ka të drejtë ekskluzive për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe kritikon opozitën për mos-pjesëmarrje në votime dhe refuzim të procesit.

Këto janë të njëjtat parti që po vazhdojnë të bllokojnë konstituimin e Kuvendit. Ne, që nga fillimi, kemi qenë të gatshëm të marrim pjesë në procesin e votimit dhe vazhdojmë të jemi të tillë edhe sot”, tha Kryeziu.

Ajo shtoi: “Nuk e kuptojmë pse ne duhet t’i nënshtrohemi një procesi të tejzgjatur politik, në të cilin duhet të presim që të tjerët të vendosin se kush është fituesi i zgjedhjeve dhe pastaj të na japin të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Kjo është një e drejtë ekskluzive e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Deputetja bëri të ditur se kandidatura e Vetëvendosjes mbetet e njëjtë: “Kemi vendosur brenda grupit tonë parlamentar që kandidatja për këtë post të jetë zonja Haxhiu dhe presim që ky vendim të respektohet”.

Në fund, Kryeziu tha se janë në pritje të opinionit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me çështje kyçe, përfshirë numërimin e votave të diasporës, për të avancuar drejt institucioneve funksionale në vend.

Shpërndaje në

U Kopjua