Live

Kurti dhe kabineti i tij qëndojnë ilegalisht në postet qeveritare, çka nëse nuk zbatohet vendimi i Gjykatës Supreme?

08:09 / 17 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Vendimi i Gjykatës Supreme, sipas të cilit kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kabineti i tij janë duke qëndruar ilegalisht në postet qeveritare, ka qenë qendër e diskutimit të mbrëmshëm në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

Analisti Vehbi Kajtazi, ka thënë se Prokuroria Speciale, që nga e marta duhet të jetë e gatshme që ta arrestojë Kurtin, bashkë me ministrat në detyrë që janë edhe deputetë, transmeton Klankosova.tv.

“Pra, prej 27 marsit, Albin Kurti si deputet e ka marrë peng Qeverinë e Kosovës dhe po ashtu në të njëjtën kohë e ka marrë peng edhe Kuvendin e Kosovës. Këta janë tepër të padijshëm, përveç që janë kriminelë. Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, këshillë juridike shkruan se ‘ky aktgjykim nuk mund të apelohet’. Pra, ky duhet zbatuar automatikisht. Prej dje që është nxjerrë ky aktgjykim, Prokuroria Speciale në krye me Blerim Isufajn, duhet të jetë e gatshme që këta njerëz t’i arrestojë. Pra, duhet ta arrestojë Albin Kurtin, Hekuran Muratin, Xhelal Sveçlën, Albulena Haxhiun. Të gjithë këta që provojnë të hyjnë në institucionin e qeverisë, duhet të arrestohen”, tha ai.

Kajtazi akuzoi Kurtin se çdo ditë e më shumë po punon për t’i rrënuar themelet kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

Nga ana tjetër, avokati Alban Krasniqi ka thënë që moszbatimi i vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës përbën vepër penale.

“Tani, moszbatimi i vendimit te Gjyqësorit, sipas kodit penal të Republikës së Kosovë është vepër penale. Nëse ky vendim nuk zbatohet është vepër penale. Nuk guxon më në këtë rast, sa i përket këtij vendimi, nuk guxon më as të gjobitet asnjë biznes, as të obligohen sipas këtij udhëzimi administrativ, as të ndërmerret asnjë masë as administrative, as civile”.

“Efekti i vendimit është tash e tutje, mirëpo, konstatimi i Gjykatës është që pas datë 27.03 kur janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, Gjykata po thotë që pas atij momenti ka pasur konflikt interesi në mes të ushtrimit të funksionit ekzekutiv dhe legjislativ…”, u pati shprehur avokati.

E deputeti i betuar i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka folur në lidhje me reagimin e Qeverisë në detyrë për vendimin e Gjykatës Supreme.

Ai tha se ky reagim është shkruar në panik dhe u shpreh se për Qeverinë në detyrë po ngushtohet rrethi.

“Kushdo që e lexon këtë komunikatë, e kupton atë që thash, rrethi për Qeverinë po ngushtohet, kjo është e shkruar në panik. Pse? Deri sot këta kanë thënë “nuk është problem me ushtru funksionin e deputetit dhe ministrit”, prej dje Qeveria po thotë hala nuk jemi deputet. Deputet ne bëhemi ditën e certifikimit të rezultateve”, u shpreh Gruda.

Ndërsa analisti politik, Dardan Sejdiu, situatën aktuale politike në vend e ka kritikuar ashpër.

Ai po thotë se Lëvizja Vetëvendosje po e vë në pikëpyetje çdo shtyllë të sistemit demokratik në vend.

“E kemi biseduar disa herë në studio, edhe mënyra se si ka qenë dita e zgjedhjeve, ose menjëherë pasi ka përfunduar rezultati zgjedhor, rënia e sistemit, çka ka qenë qëllimi… në sytë e mi ka qenë qëllimi për të humbur besimin në sistemin zgjedhor. Pastaj, zhagitja e certifikimit të rezultateve është përsëri në kuadër të humbjes së besimit në aparat shtetëror të ndërtuar për 20 vjet për të bërë një proces zgjedhor të mirë e të mbarë. M pastaj kjo që po ndodhë në Kuvend është në kuadër të kësaj, çka kanë bërë me gjykata, me prokurori, me media… çdo shtyllë të një sistemi demokratik, këta e vendosin në pikëpyetje, ngrejnë dyshime në sistem, në mënyrë që në shoqëri me u shtri një apati”, deklaroi Sejdiu.

Më tutje, ai tha se deputetët ministra po bëjnë tejkalim të qartë të kompetencave.

“Kemi tejkalim të qartë të kompetencave dhe përgjegjësive që kanë këta si njerëz që janë në detyrë në formën në të cilën janë. Diskutimi dhe veprimi ligjor që është pas këtij vendim është besoj në duar të juristëve që të na japin një lexim më kompetent. Por, për që këta janë politikisht duke vepruar në kundërshtim me çdo lloj norme, e praktike politike të një demokracie të organizuar si republikë parlamentare, e cila qartazi në kushtetutë e ka të shpjeguar rolin dhe përgjegjësinë dhe funksionin se qysh mund t’i ushtrojnë prej momentit kur zgjidhet deputet dikush, kjo është e qartë. Tash e kemi një diskutim krejt tjetër, e kjo ka të bëjë me veprim joligjor. Por, politikisht për mua nuk po besoj që beteja nuk fitohet kështu. Po besoj që duhet të ndërtohet rasti mirë, në mënyrë agresive, jo për metodë politike agresive por për diseminim të informacionit politikisht në mënyrë agresive, në baza të përditshme për shkeljet që janë duke i bërë”, shtoi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua