“Dëshiron të jesh i lumtur, apo të kesh të drejtë?”, thonë amerikanët. Këtë pyetje duhet t’ia shtrojë vetës edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur ta mendojë zbatimin e vendimit për targat, thotë profesori nga Universiteti i Oxford-it, Richard Caplan.
Kurti është në të drejtën e tij për ta implementuar vendimin sipas Marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe të mos lejojë vetura me targa ilegale serbe në veri, por është po ai që duhet të mendojë për pasojnë e këtij vendimi, pohon Caplan në një intervistë për Albanian Post.
E mira, sipas profesorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe studiuesit të paqes në vende post-konflikt, do të ishte që “të ketë një marrëveshje” që çon në një zgjidhje, por derisa ajo nuk ekziston, një alternativë duhet të gjendet.
“Kurti e ka shtyrë një herë vendimin”, dhe, siç deklaron Caplan, “në një moment ai duhet ta implementojë, sepse nuk mund ta shtyjë pafundësisht”.
Gjithsesi, është po ai që duhet të ballafaqohet me pyetjen: “Sa i rrezikshëm do të jetë implementimi?”, shton profesori që një pjesë të mirë të studimeve të tij ia ka kushtuar situatës së pasluftës në Kosovë dhe në përgjithësi shteteve të dala nga ish-Jugosllavia.
Dhe duke ndjekur të njëjtën logjikë, Caplan pohon se duhet të vendoset edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Kosova dhe Serbia u pajtuan për Asociacionin dhe mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të respektojë marrëveshjet, Kurti mund të mos pajtohet, por Kosova i ka pranuar kushtet e asaj marrëveshje dhe Asociacioni duhet të themelohet dhe mund të themelohet”, deklaron Caplan për AP.
Të gjitha këto çështje kokëçarëse do mund të evitoheshin nëse shkohet drejt një rruge tjetër – arritjen e një marrëveshje finale për normalizimin e raporteve.
Por, pa paragjykuar të ardhmen, me nuhatjen e stërvitur akademike të Caplan, “shenja për këtë nuk ka”.
“Nuk ka dëshmi se po përgatitën për një marrëveshje finale. Nuk ka shenja se po përgatiten për të hyrë në marrëveshje finale, nuk duket se është momenti”, por, shton profesori “është vështirë ta parashohim të ardhmen”.
Në një situatë të tillë, kur paqartësia dhe dualiteti i interpretimeve ua zë vendin zbatimeve të marrëveshjeve, dhuna edhe mund të shpërthejë, por jo në përmasa çfarë do të mund të zgjerohej, po të mos ishte prezenca ndërkombëtare në Kosovë.
“Ekziston gjithmonë një potencialitet i eskalimit të dhunës në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tashmë e kemi parë me tabelat në muajt e kaluar, por nuk mendoj se do të bëhet serioze sepse keni prezencën e forcave të NATO-s dhe BE-së dhe ata do të sigurohen se nuk do ta ketë një eskalim serioz, prandaj unë nuk pres diçka të tillë, por mund të ketë rritje te tensioneve dhe gjithashtu mund të ketë shpërthim të dhunës, por nuk mendoj se do të arrinte një nivel shqetësues”, deklaron Caplan.
Por, s’është veç Kosova një zonë e nxehtë shpërthimi eventual, pak më në veri, në Bosnje dhe Hercegovinë, “është rreziku që vjen nga (lideri i Republikës Serbe në B&H, Milorad Dodiku po ashtu”.
Zhillim ky për të cilin Caplan është i sigurt se “do ta destabilizonte Ballkanin”.
Prandaj, kur në pyetje është kjo zonë e botës, “besoj se gjithmonë ekziston mundësi që të eskalohet”.
Skenarë të tillë të rrezikshëm përherë i bën më të mundshëm angazhimi destruktiv i Rusisë dhe autori i “Evropa dhe Njohja e Shteteve të Reja në Jugosllavi”, shpjegon për AP se në sa shumë dimensione vjen ky destruktivitet.
“Rusia mbështetë separatistët serbë, siç për shembull ndodhë në Bosnje dhe Hercegovinë, në Republikën Serbe, pastaj është duke provuar të minojë BE-në, këtu po mundohet të përçajë BE-në nga Serbia, është duke mbështetur politikanë që janë separatistë, ose që janë më miqësorë në raport me Rusinë, po zhvillon raport me biznese po ashtu dhe në këtë mënyrë po kontribuon për të destabilizuar rajonin”.
Gjithë kjo forcë malinje në rajon, përballë ka Bashkimin Evropian, që problemin më të madh, sipas Caplan, e ka faktin se assesi ta gjejë zërin e unitetit brenda vetës.
Kjo i shkakton problem vetë unionit, por edhe partnerëve si Kosova.
“Mendoj se nga BE kanë luajtur një rol të rëndësishëm prej kohësh dhe mendoj se janë seriozë, por BE gjithmonë ka pasur problemin e njëjtë: s’flasin dot për një zë”, thotë ai.
“Janë 27 shtete dhe 5 prej tyre nuk e njohin Kosovën, prandaj mendoj se është shumë vështirë të jetë aq efektive sa do të mund të ishte po të kishte unitet më të madh”.
Gjithsesi, në kontekstin e problemit në mes Kosovë e Serbisë, Caplan deklaron se BE-ja s’është problemi më i madh – është Serbia.
“Madje edhe (presidenti serb Aleksandër) Vucic këtë muaj ka thënë se ‘derisa nuk ndjejmë aq shumë dhimbje sa që s’mund të vazhdojmë më, do ta vazhdojmë këtë politikë’. Ai tha se ‘s’është kaq e dhimbshme për ne tani’ dhe se ‘do ishte më e dhimbshme po që se duhet ta njohim Kosovën’. Ky është problemi”, përfundon Caplan.