Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se kryetari i LVV-së, Albin Kurti, si parti e para që doli nga zgjedhjet e shkurtit, nuk i ka bërë ofertë PDK-së për bashkëqeverisje.
Në emisionin DPT te Fidani në Klan Kosova, ajo tha se Kurti madje është frikësuar edhe të mendojë të bëjë koalicion me PDK-në.
Kjo për faktin se, sipas saj, LVV-ja nuk ka njerëz për ministra, në krahasim me kuadrot që thotë se i ka PDK-ja.
“Unë mendoj që zotëri Kurti ka pasur frikë dhe të mendojë që të jetë në koalicion me PDK-në. Shikoni njerëzit e zotëri Kurti, kush ka qenë ministre e Drejtësisë dhe kush mund të jetë, kush ka qenë ministre e Jashtme dhe kush mund të jetë prej PDK-së, shikojeni Sekretaren, shikojeni zotëri Hoxhajn, ose Ariana Musliu Shoshi e cila ka qenë në atë sektor për vite. Në kuptimin e kapaciteteve njerëzore, në fusha të caktuara, sado që jemi grup më i vogël, grupi i PDK-së është larg më i përgatitur. Plus që PDK-në e shquan, besoj këtu pajtohemi të gjithë, se PDK-ja kryen punë”, deklaroi deputetja Hoxha.
Ajo foli edhe për ofertat që Kurti iu bëri Nismës dhe LDK-së. Sipas saj, kreu i LVV-së e ka ditur se Fatmir Limaj nuk do t’ia votonte Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit. Madje thotë se edhe oferta që Kurti ia bëri LDK-së, të cilën ajo e quan “letër dashurie”, është ditur se nuk do të funksiononte sepse një koalicion mes këtyre dy partive veçse ka qenë i provuar “dhe dihet si ka përfunduar”.
“Qysh në fillim kur janë marrë mandatet, është diskutuar se Kurti do të hyjë me zotëri Limajn, dhe këtu u shkëput ajo marrëveshja e Limajt me Haradinajn. E çka ndodhi? E vendosi Albulenën duke e ditur se saktësisht se zotëri Limaj nuk ia voton. Zotëri Limaj do t’ia votonte këdo tjetër, dhe ai e di këtë. Duke e ditur se LDK nuk shkon në koalicion me të, sepse ka qenë një herë dhe e dini si ka përfunduar, insistonte duke i dërguar letra e letra dashurie për të bërë koalicion me LDK-në”, u shpreh deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.