Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Parisi, me anë të një postimi ka folur në lidhje me betimin e 311 rekrutëve të rinj të FSK-së.
Ai u shprehë se ushtria e Kosovës po forcohet dhe zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqën demokracinë dhe progresin, shkruan kosovalive.net
“Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor”, tha Kurti ndër të tjera në postimin e tij.
Kryeministri Kurti nuk mori pjesë në betimin e rekrutëve të rinj pasi po qëndron në Paris në Forumin e Paqes.
POSTIMI I PLOTË I ALBIN KURTIT:
Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor
Në kazermën “Adem Jashari” sot u betuan 311 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe morën statusin Ushtar i Kosovës.
Ndërsa dje, me shumicë votash Kuvendi miratoi tri projektligje që fuqizojnë bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së: plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes.
Ushtria jonë po forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin. U jemi mirënjohës partnerëve, vendeve mike e aleate për gjithë përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së.