Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka nisur ditën në Skënderaj, pak para fillimit të seancës konstituive.
Kurti së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci, vizitoi Qendrën e Kompetencës në Skenderaj, me rastin e mbajtjes së provimit praktik të nxënësve të përfshirë në programin e arsimit dual.
Vizita u zhvillua në kohën kur nxënësit e profileve muratorë dhe punëtorë të ngjashëm po u nënshtrohen provimeve për certifikim, pas tre vjetëve të shkollimit në sistemin dual, të cilët kanë përfshirë një përzierje të mësimit teorik dhe praktik, me 52% të kohës së kaluar në ndërmarrje profesionale.
Kryeministri Kurti u shpreh i kënaqur me zhvillimin e këtij programi, duke theksuar rëndësinë e lidhjes së arsimit profesional me tregun e punës.


Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jam jashtëzakonisht i gëzuar që ndodhem sot në mesin tuaj këtu, në këtë Qendër të Kompetencës në Skenderaj, e cila është bazë e jashtëzakonshme që sistemi dual në Kosovë, i cili e lidhë arsimimin profesional me tregun e punës, të marrë hov dhe në këtë mënyrë dija teorike, puna praktike, standardet dhe certifikimi, licensimi dhe cilësia të bëhen bashkë.
Unë ju falënderoj shumë për gjithë këtë angazhim dhe kontribut që e bëni dhe është tejet e rëndësishme që nxënësit tanë të cilët punojnë të jenë të kualifikuar dhe për këtë gjithashtu falënderoj edhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe partnerët tanë nga Gjermania.
Ne në fakt sistemin dual e kemi mësuar pikërisht nga Gjermania dhe Zvicra nga mërgata jonë, nga bashkatdhetarët tanë atje dhe e kemi thënë edhe më herët që, nëse fjala më e famshme gjermane në shekullin XX, në Kosovë ka qenë Gastarbeiter, tash jemi të interesuar që fjala më e famshme të jetë, Ausbildung. Pra, Ausbildung bëhet fjala më e famshme gjermane në Kosovë dhe ta marrin modelin gjerman, ashtu që t’i kemi edhe produktet sikurse në Gjermani, por edhe punëtorët sikurse në Gjermani. E këtu duhet ta falënderojmë Fondacionin “Besa” nga Augsburgu, Ilir Seferin, i cili ka dhënë gjithashtu një kontribut që sistemi dual që ky e ka praktikuar në Gjermani të ndërtohet bashkërisht me institucionet e shtetit dhe me këtë Qendër të Kompetencës në Skenderaj edhe këtu në Kosovë.
Është shumë e vlefshme që kemi filluar qysh në vitin 2022/2023, me profilin murator dhe punëtor të ngjashëm, pastaj kemi pasur edhe udhëzuesin për nxënësit dhe është interesant që pjesa praktike në ndërmarrje është me 52% – pra është më shumë se gjysma – dhe tash i kemi vlerësimin teorik që ka nisë me datën 16 maj, test i cili është i formuluar nga mësimdhënësit e pjesës teorike të lëndëve profesionale dhe është kontrolluar edhe nga vlerësuesit e anëtarëve nga ndërmarrjet, që janë: Avni Hetemi nga “Syla Grup” dhe gjithashtu Adonis Bujupi, nga “Faton Kadrijaj BI”, i cili është me nxënësit atje në punëtori.
Në arsimin dual në profilin murator dhe punëtor ngjashëm janë 18 nxënës dhe është e rëndësishme që edhe nesër e pasnesër gjithçka të shkojë mbarë e mirë, në mënyrë që suksesi i këtyre nxënësve të jetë sa më i madh dhe t’i kyçim sa më shumë prej tyre anembanë Kosovës në punë me diplomë.
Për çdo diplomë të kemi vend pune, por edhe çdo vend pune të jetë me një diplomë shkolle paraprake.