Live

Kurti nuk e bind gazetarin zviceran se ka hequr dorë nga bashkimi kombëtar

17:56 / 21 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka foluar së fundi në një intervistë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, të cilës ia ka përshkuar si naive qasjen e perëndimit ndaj Serbisë. 

Në bisedën për NZZ, gazetari Andreas Ernst e ka pyetur Kryeministrin Albin Kurti se a është në agjendën e tij bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë?

“Jo”, citon ai ti ketë thënë Kurti. Tutje ai parafrazon kryeministrin kosovar t’i ketë thënë se “tani nuk është koha për këtë”.

Sipas NZZ – medium zviceran i pozicionuar si liberal – duke pasur parasysh kërcënimin rus, Kurti më mirë do ta shihte vendin e tij të anëtarësuar në NATO.

“Në një epokë konfliktesh të mëdha, perspektiva shtet-komb është shumë e ngushtë. Bëhet fjalë për Evropën tani”, thuhet në artikull.

“A është ky një refuzim i bashkimit? Jo mjaftueshëm”, shkruan në pjesën e fundit të artikullit gazetari zviceran i cili në karrierën e tij ka në fokus temat që lidhen me Ballkanin, Bashkimin Evropian, migrimin, terrorizmin dhe temat historike.

Krejt në fund Ernest komenton përgjigjen e kryeministrit të Kosovës duke vlerësuar se – sipas tij – ndoshta Kurti po praktikon durimin strategjik.

Para ardhjes në pushtet bashkimi kombëtar ka qenë një ndër kauzat kryesore të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, madje të vendosur si dispozitë kryesore në statutin e partisë.

Por pas, ardhjes në pushtet Kurti e ka zhvendosur “në një sirtar” idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Madje, rrallë ka folur për këtë temë.

Kurti në mars të vitit 2023 në një seancë të Kuvendit ku po debatohej për ujdinë në Bruksel midis tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe po tematizohej çështja e marrëveshjes gjermnao-gjermane u shpreh se “dy shtete, një komb, jemi më Shqipërinë, jo me Serbinë”.

”Unë u kam thënë pesë emisarëve, po e them shumë hapur, unë e kuptoj idenë e tyre, për njohjen ‘de facto’ midis dy Gjermanive. Por konteksti historik dhe raportet janë krejtësisht të tjera. Unë ua kam thënë në secilin takim atyre, se nëse janë duke menduar gjermano-gjermane Kosova me Serbinë, unë filloj të ndjehem menjëherë francez. Kjo ka qenë fjala ime, nëse ju besoni gjermano-gjermane Kosovë-Serbi, unë filloj të ndjehem francez, sepse dy shtete, një komb, jemi me Shqipërinë, jo me Serbinë. Por, formulimet që merren legalo-juridike dhe futen në këtë propozim, unë i trajtoj të dekonteksualizuara historikisht edhe ata nuk ia kanë vënë titullin mbi bazën e modelit të dy Gjermanive sepse ka edhe gjëra të ndryshme siç dihet”, tha ai para deputetëve.

Pak muaj më vonë në një bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Kembrixhit në Londër, Kurti ka thënë se Kushtetuta aktuale nuk e lejon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

“Kemi gjuhën e traditat e njëjta, kemi vetëdijen e përbashkët kulturore e historike. Nuk shoh që forcimi i Kosovës bie ndesh me aspiratat e Shqipërisë, po aktualisht nuk kemi të drejtë t’i bashkëngjitemi dikujt, sepse Kushtetuta sipas Ahtisaarit e ka bërë të pamundur këtë. Është krijuar përshtypja sikurse Kosova kur t’i bashkohet Shqipërisë duhet t’i japë pjesë nga territori i saj. Nuk mendoj se duhet ta rrezikojmë integritetin territorial të Kosovës, por prioriteti numër një janë puna dhe drejtësia. E kam fituar këtë mandat qeverisës me punë e drejtësi dhe dua ta bëj shtetin e Kosovës të fuqishëm, edhe ekonomikisht, edhe administrativisht”, kishte thënë ai.

Kosova, sipas Kurtit, fillimisht do t’i bashkohet programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s e pastaj do të hyjë në Bashkimin Evropian.

E si opozitar, pikërisht me 28 nëntor 2016,  Kurti deklarohej se “kundër bashkimit kombëtar është elita provincialiste, njerëz të vegjël që duan të duken të mëdhenj, njerëz që për t’u rritur vetë duan ta zvogëlojnë atdheun tonë”.

Në statusin e Lëvizjes Vetëvendosje, në nenin e parë të dispozitave të përgjithshme përmendet edhe e drejta për bashkimin me Shqipërinë.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është lëvizje politike që e synon faktorizimin e popullit në vendimmarrjen politike nëpërmjet organizimit dhe mobilizimit të tij. Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për ndryshime rrënjësore shoqërore dhe politike, duke u mbështetur në parimin e barazisë, të demokracisë, të lirisë politike dhe të drejtësisë sociale të çdo qytetari. Lëvizja VETËVENDOSJE! synon një Kosovë sovrane, pra një Kosovë, që ka kontroll në burimet natyrore të saj dhe që e gëzon të drejtën për të pasur një forcë ushtarake të pavarur të veten, si dhe të drejtë për bashkimin me Shqipërinë. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka si qëllim të saj një Kosovë ku sovraniteti buron nga vullneti i popullit që e gëzon të drejtën për vetëvendosje të brendshme dhe të jashtme, në mënyrë që populli të jetë i lirë dhe i papenguar në organizimin e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike, sipas nevojave dhe interesave të tij.”, thuhet në statusin e LVV-së.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...