Kuvendi Komunal i Rahovecit, në mbledhjen e mbajtur të enjten, miratoi një deklaratë dënuese ndaj gjuhës së përdorur nga ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, të bërë gjatë javës së kaluar në fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Deklarata përmes së cilës shpallet Popoviqi person “non grata” u miratua unanimisht nga të gjitha partitë që janë pjesë e Kuvendit.

Kryetari i Komunës, Smajl Latifi, prezantoi deklaratën para asambleistëve, duke theksuar rëndësinë e saj për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.
“Në një shtet demokratik e sovran, që ka punuar fort për paqen e përgjithshme të qytetarëve të tij pa dallime etnie, ngjyre e feje, një person me gjuhë të urrejtjes e të përçarjes, është i padëshirueshëm dhe për komunën tonë është person “non grata”. Inkurajojmë bashkëqytetarët tanë të Hoçës së Madhe dhe përfaqësuesit e këtij fshati, të distancohen nga kjo gjuhë e papranueshme”, thuhet mes tjerash në deklaratë.