Lidhja Demokratike e Kosovës, me rastin e shënimit të 24 Majit- Ditës së Presidentit ka kujtuar liderin e saj historik, Ibrahim Rugovën.
LDK po ashtu kujtoi edhe vitin 1992, kur ishin mbajtur zgjedhjet e para Parlamentare dhe Presidenciale.
Ky subjekt në komunikatën për media, këto zgjedhje përbënin jo vetëm një ngjarje të rëndësishme elektorale, por edhe fillimin e një rrugëtimi të gjatë e të vështirë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, me synimin për ta parë Kosovën një ditë si një shtet të pavarur dhe demokratik.
“Ky proces shënoi gjithashtu ngjarjen historike të zgjedhjes së Presidentit të parë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili si udhëheqës i Kosovës, u bë udhërrëfyes, misionar, duke udhëhequr me përkushtim dhe vizion një popull të tërë në rrugën e tij për liri, pavarësi dhe demokraci. Ai ishte, dhe mbetet, një figurë e pazëvendësueshme, një prijës shpirtëror dhe politik që orientoi kombin në një periudhë të vështirë dhe në kërkimin për njohjen ndërkombëtare”.