I dyshuari Lirim Kurtaj, 27 vjeç, i cili ka qenë në arrati që nga korriku i vitit të kaluar, ka dorëzuar veten dje në stacionin policor të Pejës, duke u shoqëruar me një avokat mbrojtë.
Policia e kishte shpallur në kërkim më 7 gusht, pasi dyshohej për kryerjen e mbi pesëmbëdhjetë (15) vjedhjeve të rënda në muajin korrik 2024.
Gjatë kohës sa ka qenë në arrati, hetuesit kanë mbledhur prova dhe dëshmi, ndërsa gjatë hetimit janë sekuestruar disa sende të vjedhura tek dy persona të dyshuar në qytetin e Fushë Kosovës.
Këta persona janë të dyshuar për veprën penale “Blerja, Pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.”
Rasti është dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Gjatë arrestimit të Kurtajt janë sekuestruar disa objekte, përfshirë një pistoletë Zoraki, një karikator, gjashtëmbëdhjetë fishekë, dyzet fishekë kal. 8x57mm, një sprej OC dhe një mjet i mprehtë (thikë).
Pas intervistimit, ai është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.”
Policia vitin e kaluar kishte kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e tij, duke publikuar të dhënat përkatëse.