Kuvendi i Kosovës mblidhet përsëri sot për të vazhduar tentativat për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Seanca e sotme është e 30-ta me radhë kur deputetët e zgjedhur përpiqen që ta funksionalizojnë parlamentin.
Tash e rreth dy muaj, deputetët po mblidhen në Kuvend, por po dështojnë ta “jetësojnë” atë me të njëjtën arsye, mosvotimi i komisionit të fshehtë rreth zgjedhjes së kryeparlamentit.
Për këtë pozitë, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka lëvizur nga propozimi i saj, e që është Albulena Haxhiu.
Moskonstituimi i Kuvendit, Zemaj: Përgjegjësia morale dhe politike bie mbi LVV-në
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka folur para nisjes së seancës së 30-të për konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij përgjegjësia e madhe morale dhe politike bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, për ngërçin politik, transmeton Klankosova.tv.
“Përgjegjësia e madhe morale dhe politike bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje e cila as nuk dëshiron të gjejë një zgjidhje, as të ofrojë një zgjidhje por me kryeneçësinë politike vazhdon të mbajë peng institucionet e Kosovës”, tha ai.
Gashi: S’ka sinjale për ndryshim
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se nuk ka ndonjë sinjal se në seancën e sotme, të 30-tën me radhë, do të ketë ndonjë ndryshim.
“Nuk ka sinjale për ndonjë ndryshim por besoj që ka ardhur koha për të gjetur zgjidhje, ka kaluar kohë përtej të arsyeshmes. LDK ka ofruar një zgjidhje. Nëse është e papranueshme për LVV-në, atëherë le t’i bëjë veprimet e duhura sepse ka obligim me të drejtën që e ka fituar duke dalë e para në zgjedhje”, deklaroi Gashi në hyrje të Kuvendit.
Murati: Deputetët e opozitës po e shkelin Kushtetutën
Deputeti nga radhët e LVV-së, njëherësh ministër në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se deputetët e ish-partive opozitare po e shkelin Kushtetutën duke mos votuar.
“Duhet deputetët ta kryejnë obligimin e tyre kushtetues, të votojnë – pro, kundër ose abstenim. Qe 21 herë deputetët e opozitës e shkelin Kushtetutën duke mos marrë pjesë në votim”, deklaroi Murati.
Ai i referohet çështjes së votimit të komisionit për votim të fshehtë, ku deputetët e LVV-së po votojnë pro, ndërsa të tjerët nuk po marrin pjesë në votim.
Sala Jashari s’pret ndryshime në seancën e sotme konstituive
Deputetja e PDK-së, Sala Jashari nuk pret ndryshime në seancën e sotme konstituive e 30-ta me radhë.
Për gazetarin e Klan Kosovës, Flamur Gajtanin, deputetja tha se kjo që po ndodh, është kaos i madh për institucionet e Kosovës.
“Nuk pres diçka ndryshe. Është i çuditshëm fakti që janë duke pritur deri në seancën e 30 për një rezultat që ish dashtë me qenë qysh në ditën e parë. Seanca do të mund të kishte rezultat pozitiv brenda pesë minutash, kjo që po ndodh është kaos i madh për institucionet e Kosovës. Përsëritja është e dëmshme për të gjithë”, u shpreh Jashari, njofton Klankosova.tv.