Live

MD do të shpallë tenderë mbi 21 milionë euro muajt në vijim, shumica investime në Burgun e Gjilanit sipas rekomandimeve të Danimarkës

10:10 / 30 Janar 2025

Nga Kosova Live

Ministria e Drejtësisë, në krye me Albulena Haxhiu, ka publikuar njoftimet paraprake për disa tenderë që pritet të shpallen duke filluar nga ky muaj. Vlera e parashikuar e këtyre kontratave është mbi 21 milionë euro. Shumica janë për intervenime për Burgun e Gjilanit, sipas rekomandimeve të shtetit danez, shkruan Reporteri.net.

Sipas këtij njoftimi, nesër pritet të fillojnë procedurat për tenderin për furnizim me farëra të ndryshme, pesticide, herbicide dhe pajisje të tjera për agrokulturë. Vlera e parashikuar e kontratës është 180 mijë euro.

Tenderi tjetër në vlerë 148 mijë euro pritet të shpallet në mars, për furnizim me pajisje të lavantarisë dhe pajimeve.

Një tjetër tender 150 mijë euro planifikohet të shpallet në maj, për furnizim me vetura për nevoja të Shërbimit Korrektues.

Në këtë njoftim paraprak janë përfshirë edhe intervenimet që do të bëhen në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, sipas rekomandimeve të shtetit danez. Danimarka e ka marrë me qira këtë burg për t’i dërguar të burgosurit e saj.

Fillimisht do të renovohen objektet e kësaj qendre. Në qershor pritet të shpallet tenderi 1.3 milionë euro për kryerjen e këtyre renovimeve, shkruan Reporteri.net.

Ne këtë qendër do të instalohen edhe pajisje për ngritjen e sistemit të sigurisë. Tenderi pritet të shpallet në fillim të qershorit, e vlera e parashikuar e kontratës është 800 mijë euro.

600 mijë euro tjera pritet të shkojnë për instalimin e pajisjeve të IT, sipas rekomandimeve të Danimarkës. Procedurat për këtë tender planifikohet të fillojnë në maj.

MD planifikon që në këtë qendër të ndërtojë edhe objekte të punëtorive. Kjo pritet të kushtojë 1.4 milionë euro, teksa procedurat për këtë aktivitet prokurimi parashihet të nisin në gusht.

Një tender në vlerë 3 milionë euro pritet të shpallet në prill, përmes së cilit MD planifikon të kryejë furnizimin me gjëra ushqimore dhe cigare për të burgosur. Për furnizim me pemë e perime, MD planifikon të shpallë tendering në maj, e vlera e parashikuar është 200 mijë euro.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në prill do të fillojnë procedurat për tenderin për renovimin e bllokut 2 në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Ky renovim parashihet të kushtojë gati 336 mijë euro.

35 mijë euro tjera do të shkojnë për instalimin e sistemit të ujitjes nëpër institucionet korrektuese. Procedurat për këtë tender pritet të nisin në maj.

Tenderi për zgjerimin e Institutit të Psikiatrisë planifohet të shpallet në qershor. Vlera e parashikuar e kontratës është 1.1 milionë euro.

Dy tenderë tjerë milionësh pritet të shpallen në qershor. Ai për ndërtimin e Qendrës për femra të burgosura në Lipjan në vlerë prej 3.5 milionë euro, dhe tenderi për ndërtimin e qendrës së paraburgimit në Prizren në vlerë 4.2 milionë euro.

Tenderi i fundit i përfshirë tek njoftimet paraprake është ai për ndërtimin e shtëpisë për nëna, vizita të lira dhe punë tjera ndërtimore në vlerë 140 mijë euro. Procedurat pritet të nisin në maj./Reporteri.net.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...